Tatiana Schlossberg, vajza e Caroline Kennedy, zbulon se vuan nga kanceri terminal
Tatiana Schlossberg, vajza e Caroline Kennedy dhe Edwin Schlossberg, ka zbuluar se vuan nga kanceri terminal. Në një ese të publikuar të shtunën, më 22 nëntor, në The New Yorker, 35-vjeçarja njoftoi se është diagnostikuar me leukemi mieloide akute pas lindjes së vajzës së saj të dytë në maj 2024. Schlossberg tregoi se mjeku i saj vuri re një numër të jashtëzakonshëm qelizash të bardha në gjak, duke regjistruar 131,000 qeliza për mikrolitër, krahasuar me normën 4-11 mijë.
Fillimisht, mjeku e vlerësoi se mund të ishte një pasojë e lindjes ose diçka më serioze — dhe më pas diagnostikoi një mutacion të rrallë të quajtur Inversion 3. Schlossberg u shpreh se nuk mund të besonte lajmin: “Dita para se të lindja, kisha notuar një milje në pishinë, ende shtatzënë në muajt e fundit. Nuk ndihesha e sëmurë. Isha një nga personat më të shëndetshëm që njihja.”
Ajo dhe bashkëshorti, George Moran, kanë një djalë 3-vjeçar dhe një vajzë 1-vjeçare, dhe për Schlossberg, prioritet mbetej kujdesi për fëmijët e saj: “Kisha një djalë që e doja më shumë se gjithçka dhe një të porsalindur që duhej ta kujdesja.”
Pas lindjes, Schlossberg kaloi pesë javë në Columbia-Presbyterian Hospital, dhe më pas u transferua në Memorial Sloan Kettering për transplantin e palcës së kockës. Ajo ndoqi gjithashtu trajtime kimioterapie në shtëpi, ndërsa mjekët i shpjeguan se një trajtim standard nuk do ta kuronte.
Tatiana Schlossberg ka bërë publik këtë lajm për të ndarë përvojën e saj dhe për të treguar betejën e vështirë kundër një sëmundjeje të rrallë dhe serioze, duke i dhënë zë një sfide personale dhe familjare që prek çdo njeri.
