Formula 1/ Norris e Piastri skualifikohen, Verstappen triumfon në Las Vegas dhe afrohet me kreun
Max Verstappen i Red Bull triumfoi në Çmimin e Madh të Las Vegas, duke marrë fitoren e tij të 69-të në karrierë pas një gare që e dominoi që nga kthesa e parë. Fillimi i dobët i Lando Norris i hapi rrugën holandezit drejt kreut, ndërsa britaniku e mbylli garën në vendin e dytë dhe mbeti lider i renditjes së pilotëve. Në podium u ngjit edhe George Russell me Mercedes, ndërsa pas tyre u renditën Oscar Piastri me McLaren dhe Kimi Antonelli, i cili nga vendi i 17-të arriti të marrë pozitën e pestë pavarësisht një penalizimi prej 5 sekondash. Ferrari u mjaftua me vendin e gjashtë të Charles Leclerc dhe atë të dhjetë të Lewis Hamilton, që mori vetëm një pikë pas një ngjitjeje të vështirë nga fundi i startit.
Por menjëherë pas garës, zhvillimet morën tjetër kah: të dy pilotët e McLaren, Lando Norris dhe Oscar Piastri, u skualifikuan për konsumim të paligjshëm të “dërrasës së dyshemesë”, element që duhet të ruajë një trashësi minimale për arsye sigurie. Të dy makinat rezultuan nën limit, duke u hequr Norrisit 18 pikë dhe Piastrit 12 pikë. Pas këtij vendimi, Verstappen ngushton diferencën me kreun në vetëm 24 pikë, ndërsa Russell ngjitet në vendin e dytë të garës dhe italiani Kimi Antonelli në vendin e tretë, duke kompletuar podiumin. Leclerc kalon në vendin e katërt në renditjen përfundimtare, ndërsa Hamilton përfiton dhe ngjitet në vendin e tetë.
Një garë plot zhvillime në pistë dhe jashtë saj, që rishkroi klasifikimet dhe tensionoi garën për titull, dy etapa para fundit të sezonit.
