Vinicius “shpall luftë”, s’ka rinovim me Real Madrid, krisje totale me Alonson
Real Madrid është në krye të La Ligës, një pikë më shumë se Barcelona, por ekipi spanjoll po kalon një moment të vështirë. Pas dy barazimesh radhazi, loja e mbretërorëve nuk ka bindur, dhe situata është tensionuar edhe në dhomën e zhveshjes. Sipas medieve spanjolle, disa lojtarë po kërkojnë largimin e trajnerit Xabi Alonso, i cili, megjithatë, nuk është në rrezik të largohet për momentin. Barazimi vetëm në fund ndaj një ekipi si Elche të dielën reflektojë më së miri vështirësitë që kjo skuadër po kalon aktualisht.
Megjithatë tifozët madrilenë nuk shqetësohen vetëm për atë se çfarë po ndodh brenda fushës së lojës. Një tjetër zhvillim shqetësues është situata e Vinicius Junior, i cili është në një krizë të hapur me trajnerin pas zëvendësimit të tij në El Clasico kundër Barcelonës. Sipas “The Athletic”, Vinicius ka komunikuar me drejtuesit e Real Madrid që nuk ka ndërmend të rinovojë kontratën deri sa Xabi Alonso të qëndrojë në stolin e trajnerit. Problemet mes dyshes kanë nisur që nga Kampionati Botëror për Klube, kur trajneri spanjoll e la Vinicius jashtë formacionit titullar në gjysmëfinalen kundër PSG dhe më pas e vendosi në një pozicion të pazakontë.
Ndërkohë, bisedimet për rinovimin e kontratës së Vinicius janë bllokuar për shkak të kërkesave të tij financiare, duke ngritur dyshime për të ardhmen e tij në Madrid. Me një kontratë që skadon në vitin 2027, largimi i tij nuk duket më shumë se një mundësi e largët. Një prej lojtarëve më të mire të Real Madrid pritet të largohet verën e ardhshme, një lajm që sigurisht nuk do të pritet mirë nga tifozët e “Los Blancos”, që e shohin Viniciusin si një prej lojtarëve kryesorë, që me kontributin e tij është kthyer në një lider e idhull të padiskutueshëm për ta.
