Orinda Huta flet për humbjen e babait: Më mungon shumë
Artistja e njohur, Orinda Huta ka ndarë sot një moment të ndjeshëm nga jeta e saj personale, duke folur me sinqeritet për humbjen e të atit dhe boshllëkun e madh që ai la pas.
Gjatë pjesëmarrjes në panelin e emisionit “Goca dhe Gra”, moderatorja tregoi se i ati ka qenë jo vetëm shtylla kryesore e familjes, por edhe burimi i energjisë pozitive dhe i frymës së punës që ajo dhe motra e saj mbartin sot.
“Do kisha dashur të kisha më shumë momente të fotografuara me familjarët. Kur na duhen këto momente, nuk i kemi,” – u shpreh ajo me emocione.
Ajo tregoi se mungesa e babait është e thellë dhe e pazëvendësueshme, por kujtimet e tij mbeten një udhërrëfyes në jetën e saj të përditshme.
“Absolutisht ai na ka rritur me një frymë shumë të mirë. Ka bërë një punë të shkëlqyer me mamin. Është përpjekur gjithmonë të na japë pozitivitet, punë dhe mirënjohje. Nuk kam asgjë tjetër për t’i thënë, veçse se e dua shumë,” shtoi Orinda, duke emocionuar panelin dhe publikun.
Në fund, Orinda theksoi se kujtimet me të atin mbeten sot një nga thesaret më të çmuara të jetës së saj dhe një arsye më shumë për të vlerësuar familjen dhe çdo moment me njerëzit e dashur.
