Muaji i së vërtetës, Milan kërkon të mbyll vitin si protagonist në Itali
Dhjetori mund të jetë muaji që vendos fatin e Milanit të Massimiliano Allegrit. Kalendari deri në fund të vitit parashikon sfida vërtet tepër interesante për kuqezinjtë, që mund të tregojnë shumë mbi potencialin e “Djallit”, lidhur me objektivat e këtij sezoni.
Gjatë këtij sezoni, Milani ka shkëlqyer ndaj ekipeve të mëdha: fitore me Romën, Napolin, Interin e Bolognan dhe një barazim me Juventusin. Vetëm një gol i pësuar në këto pesë sfida – dhe ai me penallti. Një mbrojtje solide dhe një skuadër që di të vuajë dhe të godasë në momentin e duhur.
Tani vjen dyshja e sfidave me Lazion: fillimisht në kampionat dhe vetëm pesë ditë më vonë në Kupën e Italisë, një objektiv madhor për kuqezinjtë, sidomos duke qenë pa angazhime europiane. Në mes të muajit, më 18 dhjetor, i pret edhe gjysmëfinalja e Superkupës në Riad kundër Napolit. Dhe më pas, për mbylljen e vitit, Verona në San Siro.
Nuk duhen harruar as ndeshjet e kampionatit kundër Torinos dhe Sassuolos, të vendosura mes sfidave të mëdha.
Me vetëm një humbje që nga fillimi i kampionatit dhe me grupin që tashmë po rikuperon nga dëmtimet, dhjetori pritet të tregojë qartë nëse ky Milan është gati të luftojë për titull dhe t’i rikthejë tifozëve shpresën e madhe.
