Wed, Nov 26, 2025

Tirana, 4 emra në fokus për përforcimet e janarit

Tirana, 4 emra në fokus për përforcimet e janarit
  • PublishedNovember 26, 2025

Tirana ka nisur të punojë intensivisht për merkaton e janarit, me drejtuesit bardheblu që po përpiqen të krijojnë një skuadër më solide për pjesën e dytë të sezonit.

Objektivi është përforcimi në disa pika kyçe, duke sjellë lojtarë me eksperiencë dhe cilësi, të aftë për të bërë diferencën menjëherë. Në mesin ofensiv, një nga objektivat kryesorë është Endrit Krasniqi, futbollisti i Shkëndijës, i cili ka dalë në pah këtë sezon me paraqitjet e tij të qëndrueshme. Ai konsiderohet një lojtar polivalent, i aftë të luajë si mesfushor ofensiv, organizator apo edhe në krahun e sulmit.

Shifrat e tij, 25 ndeshje, 3 gola, 7 asiste dhe 1281 minuta, e bëjnë një opsion shumë tërheqës për Tiranën, e cila kërkon kreativitet dhe qartësi në 30 metërshin e fundit të fushës. Në repartin e avancuar, bardheblutë kanë shprehur interes serioz për Dembo Darboe, sulmuesin gambian aktualisht pa skuadër. Darboe njihet për fizikun dhe aftësinë për të finalizuar, ndërsa periudha e tij me Al-Ahlin, 25 ndeshje, 5 gola dhe 1405 minuta, tregon se ai mbetet një lojtar me potencial të madh. Njohja e hershme me drejtorin sportiv Omer Bunjaku, nga koha te Shkupi, e favorizon një afrimit të mundshëm, ndërsa eksperienca me kombëtaren e Gambias i jep një profil ndërkombëtar.

Në prapavijë, Tirana synon të shtojë stabilitet dhe eksperiencë. Emri më i përfolur është Mevlan Adili, qendërmbrojtësi 31-vjeçar i Gjilanit. Adili është një lojtar i njohur për futbollin shqiptar, duke qenë më parë pjesë e Vllaznisë dhe Bylisit. Këtë sezon ka luajtur 11 ndeshje dhe ka grumbulluar 990 minuta, duke treguar vazhdimësi dhe siguri në lojë. Profili i tij përputhet me atë që Tirana kërkon një mbrojtës i fortë, me përvojë në ndeshjet e forta dhe me kapacitet udhëheqës.

Në mesfushën mbrojtëse, bardheblutë kanë vënë në shënjestër Drilon Islamin, futbollistin e CFR Cluj. Edhe pse këtë sezon nuk ka regjistruar asnjë minutë në Rumani, Islami njihet për tiparet e tij si mesfushor shkatërrues, duke ofruar agresivitet, presion dhe rikuperim topi. Ai ka spikatur më parë te Prishtina, ku ishte pjesë e formacionit bazë, dhe shihet si një lojtar që mund të sjellë balancë në mesfushën e Tiranës. Drejtuesit bardheblu pritet të intensifikojnë negociatat në ditët në vijim, me qëllimin për të mbyllur të paktën disa prej këtyre afrimeve sa më herët. Merkatoja e janarit konsiderohet vendimtare për ambiciet e skuadrës, e cila synon të përmirësojë ecurinë dhe të rikthehet në garë për objektivat madhorë të sezonit. Një tjetër emër i përfolur është edhe Lorik Boshnjaku, por ky i fundit ka kontratë deri në 2027-ën.