Thu, Nov 27, 2025

Adelina Tahiri e ashpër ndaj kritikëve për ndarjen nga jeta të Shpatit: Njerëzit po i nderoni vetëm pasi vdesin

Adelina Tahiri e ashpër ndaj kritikëve për ndarjen nga jeta të Shpatit: Njerëzit po i nderoni vetëm pasi vdesin
  • PublishedNovember 27, 2025

Lajmi për ndarjen nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi tronditi mbarë komunitetin shqiptar. Mes shumë reagimeve prekëse ishte edhe ai i mikeshës së tij të afërt, Adelina Tahiri, e cila publikoi dedikime të ndjera për artistin e ndjerë. Ajo shkroi se dhimbjen për Shpatin do ta mbajë gjithmonë në zemër, duke e kujtuar me mall dhe respekt.

Megjithëse nderoi mikun e saj me postime prekëse, Adelina u gjend në qendër të kritikave pasi publikoi edhe një fotografi nga një darkë në “Instastory”. Disa ndjekës e akuzuan se po tregonte mungesë respekti në ditën e vdekjes së Shpatit.

E vënë nën presion mediatik dhe komenteve, këngëtarja reagoi publikisht në Instagram. Në përgjigjen e saj, ajo dënoi gjykimet e ndjekësve dhe foli hapur për fenomenin e hipokrizisë. Adelina theksoi se shoqëria shpesh i nderon njerëzit vetëm pasi vdesin, ndërsa kur janë gjallë dhe kanë nevojë për mbështetje, ata anashkalohen dhe harrohen. Këngëtarja la të kuptohet se respekti dhe vlerësimi duhet të jenë të sinqerta dhe të tregohen në kohën e duhur, jo vetëm pas humbjes.

Shpat Kasapi ka ndërruar jetë në moshën 40-vjeçare. Sipas mediave fqinje këngëtari ka pësuar një atak kardiak gjatë qëndrimit të tij në Itali.

Shpat Kasapi ka qenë një nga emrat më të njohur dhe më të dashur të skenës muzikore shqiptare. I lindur më 1 maj 1985 në Tetovë, ai u rrit në një familje me traditë muzikore. Karriera e tij nisi në fillim të viteve 2000, ku shumë shpejt u bë një prej idhujve të rinisë me stilin e tij modern, meloditë e lehta dhe performancat energjike.

Shpati u afirmua përmes tregut muzikor kosovar dhe atij shqiptar, duke sjellë këngë që u shndërruan në hite si “A më do?”, “Valle Kosovare”, “Dashni pa limit”, “Aroma e saj”, e shumë të tjera. Më 2021 këngëtari u martua me Selvije Jaos, por vetëm para një viti çifti prindër të një djali i dhanë fund marrëdhënies së tyre.