Ballkani triumfon në derbi dhe bëhet lider, fitojnë si mysafirë edhe Malisheva e Dukagjini
Ballkani ka shënuar fitore të madhe në udhëtim ndaj kampiones në fuqi, Dritës, duke e mposhtur me rezultatin 3:2, në njërë nga ndeshjet më të mira të këtij edicioni dhe jo vetëm.
Kjo sfidë shënoi debutimin me fitore të trajnerit të ri të portokallezinjve, Mislav Karoglan. Skuadra suharekase e nisi ndeshjen fuqishëm, me Bleart Tolajn që shënoi një supergol në minutën e 12-të. Drita reagoi shpejt dhe barazoi në minutën e 23-të përmes Kristal Abazajt.
Por Ballkani u përgjigj me dy gola brenda dy minutave: Giovanni Ribeiro në minutën e 32-të dhe Walid Hamidi në të 34-tën përfunduan një pjesë të parë të shkëlqyer për mysafirët.
Në pjesën e dytë, Drita dominoi dhe shënoi edhe një gol tjetër me Abazajn në minutën e 58-të, por pavarësisht rasteve të shumta, nuk arriti të shmangë humbjen. Në minutën e 88-të, Geralb Smajli i Ballkanit u përjashtua me karton të kuq.
Me këtë fitore, Ballkani merr kreun e tabelës me 26 pikë, sa ka edhe Prishtina, por suharekasit kanë një ndeshje më shumë të zhvilluar. Drita ndërkohë renditet në pozitën e katërt me 23 pikë.
Dukagjini ka regjistruar fitoren e tretë rresht në kampionat, duke mposhtur Llapin, në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, me rezultat minimal 1:0.
Në një takim të luftuar deri në minutën e fundit, vendosi goli i Dardan Morinës në minutën e 90-të, pas një kundërsulmi të shpejtë.
Fitore si mysafire ka realizuar edhe Malisheva, e cila ka regjistuar fitoren e dytë rresht dhe të shtatën këtë edicion, teksa mposhti Ferizajn, me rezultat 2:0.
Të besuarit e trajnerit Elon Berisha zhvilluan një pjesë të dytë perfekte. Etnik Brruti shënoi i pari në minutën e 54-t pas asistimit të Laurent Xhylanit, ndërsa Elom Nya-Vedji vulosi rezultatin në minutën e 79-të.
Me këtë triumf, Malisheva ngjitet në vendin e pestë me 22 pikë, ndërsa Ferizaj mbetet në zonën e ftohtë, duke zënë pozitën e parafundit me 15 pikë dhe pa fitore në katër ndeshjet e fundit.
