Statuja e Lionel Messit vandalohet brutalisht në Argjentinë: Autoritetet nisin hetimet
Një akt i rëndë vandalizmi ka tronditur Argjentinën dhe botën e futbollit, pasi statuja e Lionel Messit në Buenos Aires u gjet e dëmtuar rëndë në orët e para të së dielës. Monumenti, i vendosur në zonën qendrore të Mar del Plata-s pranë lokalit “El Nuevo Mundial”, ishte prerë brutalisht në pjesën e këmbëve, duke e ndarë figurën në dy pjesë dhe duke lënë bustin të rrëzuar mbi bazament.
![]()
Ngjarja ka shkaktuar zemërim të madh tek tifozët dhe komuniteti sportiv, të cilët e kanë cilësuar aktin si të turpshëm dhe të pajustifikueshëm. Sipas informacioneve paraprake, vandalizmi ka ndodhur gjatë natës, ndërsa autoritetet kanë nisur menjëherë verifikimet për të zbuluar se kush fshihet pas këtij sulmi të qëllimshëm. Ende nuk ka një pistë të qartë hetimore, por incidenti ka rindezur debatet mbi sigurinë e monumenteve publike që nderojnë ikonat e futbollit argjentinas.
Ky nuk është rasti i parë i një akti të tillë. Vetëm pak javë më herët, një mural kushtuar portierit Emiliano “Dibu” Martínez në Morón u dëmtua nga persona të panjohur, duke ngritur shqetësime se sulmet ndaj figurave të futbollit mund të po shndërrohen në një trend të rrezikshëm.
Komuniteti lokal dhe autoritetet kërkojnë tashmë masa më të forta mbrojtëse, duke konsideruar instalimin e kamerave shtesë dhe patrulla të dedikuara në zonat ku ndodhen vepra të tilla. Ndërkohë, puna për restaurimin e statujës së Messit pritet të nisë së shpejti, teksa adhuruesit e tij e dënojnë ashpër këtë akt që prek një figurë simbol të Argjentinës.
