Nëna e Shpatit: Vitin e fundit nuk ka qenë i qetë!
Në Akademinë Përkujtimore të mbajtur sot në Çair, nëna e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, Gjylymsere Kasapi, ka prekur zemrat e të gjithë të pranishmëve me fjalët e saj të ndjera. Ajo e nisi fjalimin duke falënderuar mikun e familjes, kryetarin e sapozgjedhur të Çairit, Izet Mexhitin, për organizimin e këtij nderimi.
“Faleminderit zotëri Izet Mexhiti, miku im, që organizove këtë eveniment për nder të humbjes së madhe të shpirtit tim, gjysmës së shpirtit tim, Shpatit,” tha ajo mes dëshpërimit.
Pavarësisht karrierës së gjatë në arsim, Gjylymsere Kasapi rrëfeu se përballë kësaj humbjeje, fjalët i kishin humbur peshën. “Sot do thoni pse nuk jam në gjendje të flas. 22 vjet kam ligjëruar, por sot ndjej një emocion që kurrë në jetë nuk e kam ndjerë. Dhe e dinë të gjitha nënat që e kanë humbur fëmijën e vet.”
Në mesin e dhimbjes, ajo u shpreh krenare për dashurinë masive që publiku kishte për djalin e saj. “Në një aspekt tjetër, jam shumë krenare dhe e lumtur që paskam lindur një djalë, jo vetëm i imi, por i të gjithë juve. Ju e paskeni dashur dhe unë nuk e kam ditur që e keni dashur kaq shumë.”
Momentet më prekëse ishin ato kur Gjylymsere zbuloi se vitin e fundit të jetës së Shpatit nuk kishte qenë i lehtë për familjen. “Le të prehet në paqe. Le të jetë i qetë atje, pasi vitin e fundit nuk ka qenë i qetë. Kjo ka qenë parandjenjë e gjithë neve që jemi shqetësuar si familje.”
Në fund, ajo bëri një lutje prekëse për anëtarët e tjerë të familjes, duke thënë: “E lus Zotin, me lutjet e mia më të fuqishme që të më ruajë fëmijët e tjerë, dritat e syve: Albinin, Jehonën, nipërit, mbesat, Roelin dhe Selvijen, që do më mbajnë të gjallë nëse jam në jetë tutje. Le të prehet në lulet e xhenetit.”
Shpat Kasapi u përcoll për në banesën e fundit të dielën në Tetovë, duke lënë pas një trashëgimi të pasur muzikore dhe një familje të pikëlluar.
