“Stranger Things” sfidon trendin e AI: skena e shumëpërfolur realizohet pa inteligjencë artificiale
Në një kohë kur industria e filmit dhe televizionit po mbushet dita-ditës me përdorimin e inteligjencës artificiale në editime, efekte dhe transformime vizuale, “Stranger Things” po qëndron besnik metodave tradicionale. Seriali i famshëm i Netflix-it, i njohur për atmosferën “thriller-horror” dhe për përkushtimin ndaj detajeve praktike, ka befasuar publikun duke mos përdorur asnjë formë të AI-së në një nga skenat më të komentuara së fundmi.
Bëhet fjalë për një skenë të rikthimit në kohë të personazhit Joyce, luajtur nga Winona Ryder. Fansat u bindën se pamja e aktores së re që shfaqej në skenë ishte krijuar me teknologji artificiale, për shkak të ngjashmërisë mbresëlënëse me Ryder-in e viteve të rinisë. Mirëpo, regjisori e ka mohuar plotësisht përdorimin e AI-së, duke zbuluar se ekipi ka zgjedhur metodën klasike: kanë gjetur një aktore që i ngjan në mënyrë të jashtëzakonshme Joyce-it të re.
Ky vendim ka tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe profesionistëve të industrisë, sidomos në një periudhë kur shumë produksione po përdorin inteligjencën artificiale për të reduktuar kohën dhe koston e punës. “Stranger Things”, megjithatë, ka ruajtur reputacionin e tij për shfrytëzimin minimal të CGI-së dhe përkushtimin ndaj efekteve praktike.
Pak ditë më parë, aktori që interpreton Vecna-n zbuloi se ka kaluar më shumë se tetë orë çdo ditë në grimin e posaçëm për të krijuar pamjen e tij prej përbindëshi – dëshmi e qartë se seriali vazhdon të mbështetet te puna manuale dhe artizanale.
Qasja e “Stranger Things” po shihet si një lëvizje e guximshme dhe nostalgjike, në një kohë kur AI-ja po ndryshon shpejt rregullat e industrisë.
