Wed, Dec 3, 2025

Can Yaman zbulon origjinën shqiptare: “Nana ime është nga Kosova”

Can Yaman zbulon origjinën shqiptare: “Nana ime është nga Kosova”
  • PublishedDecember 3, 2025

Aktori i dashur për publikun, Can Yaman, protagonisti kryesor i serialit të ri “Sandokan”, ka zbuluar për herë të parë origjinën e tij shqiptare. Në një intervistë për mediat italiane, Yaman tregoi se nëna e tij është nga Kosova, ndërsa babai i përket diasporës shqiptare që ka mbërritur në Turqi shumë vite më parë.

“Jam rritur në Suadiye, një lagje rezidenciale në pjesën aziatike të qytetit, me fusha futbolli e basketbolli për djemtë. Është një zonë e banuar nga emigrantë të gjeneratës së dytë e të tretë, si gjyshërit e mi me origjinë kosovare e shqiptare, që kishin ardhur në Turqi gjatë luftës. Ata mes tyre flisnin shqip”, u shpreh aktori.

I pyetur nëse di të flasë shqip, Can Yaman tha: “Jo! Babai ka lindur në Turqi dhe unë jam rritur si një djalë tipik i Stambollit, edhe pse mes njerëzve nga kudo. Nuk na habisin kulturat e ndryshme, ato janë pjesë e historisë së Perandorisë Osmane. Turqia ka shumë migrantë dhe vendndodhja jonë mes Lindjes, Europës dhe Afrikës së Veriut ndikon shumë në këtë. Si i rritur, mund të zgjedhësh vetë nëse do të jesh më perëndimor apo më lindor.”

Ky rrëfim i aktorit hedh dritë mbi rrënjët e tij dhe përforcon lidhjen e tij me trashëgiminë kulturore shqiptare, edhe pse ai vetë nuk e flet gjuhën shqipe.