Igli Tare ndërhyri për kthimin e trupit të Shpat Kasapit në Maqedoni të Veriut, familja shpreh mirënjohje
Familja e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi ka bërë të ditur se falë ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Igli Tares, drejtorit sportiv të skuadrës së Milanit, procesi i kthimit të trupit të artistit në Maqedoninë e Veriut u realizua në kohë rekord. Lajmi u konfirmua nga familjarët, të cilët theksuan se kontributi i Tares ishte vendimtar në një periudhë mjaft të vështirë për ta.
Shpati ndërroi jetë në Bergamo, natën kur kishte mbërritur në Itali. Pas vdekjes së tij, trupi u transferua në një spital të Milanos për të kryer analizat, obduksionin dhe procedurat ligjore të domosdoshme. Këto procese, veçanërisht në rastet me vdekje të papritura, zgjasin disa ditë ose edhe javë për shkak të protokolleve strikte të autoriteteve italiane.
Në raste të zakonshme, kthimi i trupit të një personi të ndjerë në vendin e origjinës kërkon kohë të gjatë për shkak të dokumentacionit të shumtë, autorizimeve mjeko-ligjore dhe procedurave konsullore.
Megjithatë, sipas familjes Kasapi, Igli Tare u angazhua personalisht për të përshpejtuar të gjitha këto procedure, duke vendosur kontaktet e nevojshme dhe duke ndihmuar në zgjidhjen e çdo pengese burokratike. Falë ndërhyrjes së tij, trupi i Shpatit u rikthye në Tetovë brenda vetëm katër ditësh, shumë më shpejt sesa njihen standardet në raste të ngjashme.
Kjo u bë e mundur për të respektuar dëshirën e familjes që artisti të prehej sa më shpejt pranë të afërmve të tij, ndërsa ceremonia e varrimit u mbajt të dielën, më 30 nëntor.
Vëllai i Shpatit, Albin Kasapi, u shpreh publikisht i prekur nga mbështetja e Tares. Në një deklaratë për Sportmania, ai theksoi se këto ditë kanë qenë ndër më të vështirat për familjen, por solidariteti i njerëzve dhe përkushtimi i Tares u ka ofruar një ngushëllim të madh.
“Këto janë ditë dhimbjeje të madhe për familjen tonë. Falënderojmë të gjithë ata që kanë qenë pranë nesh në këtë humbje të rëndë,” tha Albin Kasapi.
“Dua të shpreh falënderim publik për Igli Taren, bashkëkombësin tonë që bëri të pamundurën dhe ishte faktor kyç që trupi i Shpatit u kthye në kohë rekord në vendin tonë. Na është gjendur jashtëzakonisht shumë dhe e vlerësojmë pa masë këtë mbështetje.”
Familja theksoi se ndërhyrja e Tares nuk ishte vetëm një ndihmë praktike, por edhe emocionale, duke lehtësuar një pjesë të barrës së rëndë që ata përjetuan në momentet e para të humbjes së madhe.
