Wed, Dec 3, 2025

Paralajmëron Turjan Hysko: Do rikthej këtë program, por jo në të njëjtin format

Paralajmëron Turjan Hysko: Do rikthej këtë program, por jo në të njëjtin format
  • PublishedDecember 3, 2025

Pas shumë vitesh suksesi në televizion, autori dhe producenti i njohur Turjan Hysko vjen për herë të parë në kinematografi me filmin “Kazerma”, një dramë sociale që përfshin elementë humori, tragjedie dhe realiteti të zhveshur. I ftuar në emisionin “Zgjohu me MCN”, ai ndau detaje nga ky projekt i ri, por njëherësh foli hapur edhe për televizonin dhe planet që ka për të ardhmen.

Gjatë intervistës, Turi foli edhe për tregun e medias dhe konsumimin e shpejtë të formateve televizive. Ai theksoi se suksesi i një programi nuk varet vetëm nga publiku, por edhe nga koha e qëndrimit në transmetim.

“Produktet televizive nuk duhet të jenë me jetëgjatësi të madhe, sepse konsumohen. Produktet e mira nuk duhet të zgjasin më shumë se tre vite,” u shpreh Hysko, duke shtuar se tregu dikton ritmin, imazhet dhe energjinë që duhet të përçojë një format.

Pjesa më e komentuar e intervistës ishte pa dyshim deklarata për rikthimin e “Apartamentit 2XL”, një prej programeve më të dashura të humorit shqiptar. Hysko konfirmoi se formati do të vijë sërish në ekran, por jo në formën e dikurshme.

Rrugëtimi në televizion ka veçantinë e vet dhe ka pasur gjithmonë sukses, por jo gjithmonë të njëjtin sukses. Jam munduar të bëj diferencën dhe mendoj se produktet televizive nuk duhet të jenë me jetëgjatësi të madhe, sepse konsumohen. Produktet e mira nuk duhet të zgjasin më shumë se tre vite. Në atë kohë ka pasur treg dhe rrjedhimisht ajo që ti prodhon duhet të jetë brenda ritmit dhe imazheve të kohës, që të mos konsumohet, sepse çdo gjë ka ciklin e vet. Sa i takon rikthimit të ‘Apartamentit 2XL’, do ta rikthej edhe një herë, por jo në të njëjtin format.