Babai i Meghan Markle në gjendje të rëndë për jetën
Thomas Markle, babai 81-vjeçar i Dukeshës së Sussex, është shtruar me urgjencë në spital dhe aktualisht ndodhet në kujdes intensiv, pasi iu nënshtrua një operacioni të gjatë dhe të ndërlikuar. Lajmi është konfirmuar nga djali i tij, Thomas Markle Jr., i cili ka zbuluar detajet e gjendjes së rënduar shëndetësore të të atit.
Thomas Markle u sëmur rëndë në banesën e tij në Filipine të martën dhe u dërgua menjëherë në spital, ku mjekët vlerësuan se ai ishte në rrezik të menjëhershëm për jetën. Operacioni i parë, i cili zgjati rreth tre orë, u krye të enjten sipas orës lokale.
Megjithatë, sipas të birit, mjekët kanë vendosur se 81-vjeçari duhet t’i nënshtrohet edhe një operacioni tjetër, kësaj radhe për të hequr një mpiksje gjaku që paraqet rrezik serioz.
Gjendja shëndetësore e Thomas Markle është përkeqësuar prej vitesh. Ai ka kaluar dy atake në zemër dhe një goditje në tru, ndërsa problemet e fundit shëndetësore duket se kanë kulmuar këtë javë. Pas një dekade të kaluar në Meksikë, ai është zhvendosur në Filipine në fillim të këtij viti.
Thomas Jr., në prononcimin për Daily Mail, tregoi se situata ishte dramatike:
“Mjekët na thanë se jeta e tij ishte në rrezik të menjëhershëm. E çova personalisht në spital sapo u përkeqësua.”
Raportet mes Thomas Markle dhe vajzës së tij, Meghan, kanë qenë të tensionuara prej vitit 2018 – vit kur ajo u martua me Princin Harry. Thomas pësoi dy atake në zemër vetëm pak ditë para dasmës mbretërore, duke bërë që ai të mos ishte i pranishëm për ta shoqëruar Meghan drejt altarit. Që atëherë, ata nuk kanë pasur më kontakt.
Përçarja u thellua edhe më shumë pasi Thomas pozoi për paparacët para dasmës, një veprim që solli kritika të ashpra nga media dhe nga brenda familjes mbretërore. Sipas raportimeve, marrëdhënia u ndërpre plotësisht pas një telefonate të tensionuar me Princin Harry, të cilën Thomas e ndërpreu ndërsa ishte ende në spital duke u rikuperuar.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Meghan Markle apo Princ Harry lidhur me gjendjen e rëndë të Thomas Markle.
