Thu, Dec 4, 2025

Familjarët e Shpat Kasapit me mesazh prekës pas humbjes së artistit

Familjarët e Shpat Kasapit me mesazh prekës pas humbjes së artistit
  • PublishedDecember 4, 2025

Familja e këngëtarit të njohur Shpat Kasapi ka ndarë një mesazh të ndjerë falënderimi për publikun, miqtë, kolegët dhe gjithë komunitetin artistik, të cilët në ditët e fundit kanë shprehur dhimbjen, respektin dhe mbështetjen e tyre pas ndarjes së tij nga jeta. Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, ata theksojnë se solidariteti i treguar nga njerëzit ka qenë një ngushëllim i jashtëzakonshëm në këtë periudhë të rëndë.

“Të dashur familjarë, miq, kolegë dhe të gjithë ju, publik e dashamirë të muzikës së Shpatit… në emër të familjes sonë ju falënderojmë nga zemra për mbështetjen, ngushëllimet dhe respektin,” shkruajnë ata. Sipas familjes Kasapi, falë dashurisë së publikut, kujtimi i Shpatit u nderua me dinjitetin dhe mirënjohjen që ai meritonte gjatë gjithë karrierës së tij.

Në reagimin e tyre, familjarët theksojnë se ndarja e Shpatit nga jeta është një humbje e madhe, jo vetëm për ta, por edhe për komunitetin artistik shqipfolës dhe për të gjithë ata që e kanë dashur muzikën e tij ndër vite. Ata shprehen se jeta është e paparashikueshme dhe e brishtë, ndaj kujtimet e bukura që la pas artisti mbeten pasuri e përjetshme për të gjithë.

“Buzëqeshja dhe energjia e Shpatit do të mbeten gjithmonë dritë për ne,” vijon mesazhi prekës, teksa familja shpreh falënderim të thellë për çdo fjalë të ngrohtë, lutje dhe respekt të treguar ndaj artistit në ditët e fundit.