Muçi-Hoxha në super formë, Sylvinho bëhet me krahë (VIDEO)
6 gola dhe 2 asiste në 16 ndeshje, 3 herë radhazi lojtari i muajit, pa diskutim, së bashku me Muçin, Arbër Hoxha është ylli tjetër kuqezi që po shndërron në Evropë. Anësori kuqezi ishte protagonist absolut edhe në derbin e madh të Kroacisë, me sulmuesin shqiptar që realizoi një gol në minutën e 112-të duke shmangur humbjen e Dinamo Zagreb përballë Hajduk Split, një barazim dramatik, por shumë i rëndësishëm që e lejoi Dinamo Zagreb të qëndrojë në krye në kuotën e 32 pikëve, 1 më shumë se Hajduk.
Përpara ndeshjes, Hoxha mori edhe trofeun e lojtarit më të mirë të muajit nëntor. Kjo ishte hera e tretë radhazi që anësori kuqezi vlerësohet me këtë çmim, si asnjë tjetër më parë në Kroaci.
Forma fantastike e Hoxhës dhe Ernest Muçit është një lajm i shkëlqyer për trajnerin Sylvinho përpara ndeshje të muajit mars. Tekniku kuqezi do të kishte dy anësorë në top formë për krahët e sulmit, pasi ndaj Polonisë është një ndeshje teke, një ndeshje që duhet fituar për të synuar më pas prezencën në fazën finale të “Play-Off” ku do të përballemi me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi.
