Mon, Dec 8, 2025

Real “sheh makthe”, Celta Vigo mund madrilenët në “Bernabeu”, Alonso: S’më pëlqeu arbitrimi

Real “sheh makthe”, Celta Vigo mund madrilenët në “Bernabeu”, Alonso: S’më pëlqeu arbitrimi
  • PublishedDecember 8, 2025

Real Madridi kalon një tjetër natë të zezë në “Bernabéu”, duke u mposhtur 0-2 nga Celta Vigo. Megjithëse fillimi ishte premtues për madrilenët, me raste të rrezikshme nga Arda Güler, Bellingham dhe Vinicius, portieri Radu u shfaq në formë të shkëlqyer, duke mbajtur të paprekur portën e miqve.

Pjesa e dytë solli zhgënjimin më të madh për skuadrën e Xabi Alonsos. Në minutën e 54-t, Williot Swedberg befasoi të gjithë me një gol të bukur me thembër, që i dha avantazhin Celtës. Situata u përkeqësua edhe më shumë për Realin në minutën e 63-të, kur Fran Garcia u ndëshkua me karton të kuq pas dy të verdhave.

Me një lojtar më pak, madrilenët humbën dy mundësi të pastra me Mbappé dhe Gonzalo Garcia, ndërsa nervozizmi kulmoi me përjashtimin e dytë, këtë herë për Alvaro Carreras në minutat shtesë. Dhe pikërisht në sekondat e fundit, Swedberg shënoi edhe golin e dytë, pasi shmangu Courtois dhe dërgoi topin në rrjetë për 2-0.

Celta del me tre pikë të arta dhe ngjitet pranë zonës europiane, ndërsa Real Madrid zhytet në kaos: presioni mbi Xabi Alonson rritet, skuadra mbetet katër pikë pas Barcelonës dhe rrezikon të parakalohet nga Villarreal, që ka një ndeshje më pak. Vetë tekniku spanjoll në fund të takimit u mundua të gjej alibi tek mungesat kreysisht dalja e Militaso për shkak dëmtimi, por edhe te vendimet e arbitrit, sidomos kartoni i kuq i Carreras. “Nuk më pëlqeu, vendimet e arbitrit ishin të diskutueshme”, ishin fjalët e teknikut spanjoll.