Sat, Dec 20, 2025

Librat që lexuam këtë vit

Librat që lexuam këtë vit
  • PublishedDecember 20, 2025

Një ditë tjetër, libri autobiografik i gazetares Mira Kazhani dhe libri polemizues Jam mysliman nga Ben Blushi ishin dy librat absolutisht më të shitur te Shtëpia e Librit këtë vit, libra që tërhoqën vëmendjen e lexuesit falë zhurmës mediatike që i parapriu dhe pasoi publikimin e tyre. Kazhani rrëfen përballjen e saj me sëmundjen dhe luftën për shpresë.

Pushteti dhe, në veçanti, ana e errët e pushtetit, ishte tema dominuese e pjesës tjetër të listës me dhjetë më të shiturit.

Në vend të tretë, libri 48 ligjet e pushtetit nga Robert Greene tërhoqi lexuesit me informacionet e tij praktike mbi pushtetin dhe ushtrimin e pushtetit gjatë historisë së njerëzimit. Specialiteti i Greene është që të analizojë jetët dhe filozofitë e figurave historike si Sun Tzu dhe Napoleoni dhe të nxjerrë prej tyre sugjerime se si të manipulosh njerëzit dhe situatat, një këndvështrim i pamëshirshëm mbi botën që i ka siguruar atij lexues besnikë dhe të larmishëm, nga këngëtarët rap te trafikantët e drogës apo drejtorët e korporatave.

Në vend të katërt, klasiku Meditime nga Marcus Aurelius, një perandor romak që jetoi në shekullin e dytë e.s., dhe që besohet se la një numër këshillash të mbledhura nga filozofët stoikë.

Fuqia e së tashmes nga Eckhart Tolle, një udhërrëfyes mbi iluminimin shpirtëror zuri vendin e pestë me këshillat e tij të huazuara nga religjionet kryesore të botës.

Në vend të pestë, gjithashtu një klasik, Princi nga Niccolò Machiavelli. Leksionet e tij mbi mënyrat më të pamëshirshme se si mund të kapet dhe të ruhet pushteti vijojnë të tërheqin lexuesit.

Në vend të gjashtë, romani thriller psikologjik Shërbëtorja nga Frieda McFadden. Autorja, një mjeke që zakonisht merret me trajtimin e problemeve të trurit, ka pushtuar tregun e thrillerave psikologjikë në SHBA dhe në shumë vende të tjera, përfshirë Shqipërinë, ku sakaq ka shtatë romane të botuara.

Në vend të shtatë dhe të tetë janë dy autorë turq. Emin Efendi tërhoqi lexuesit me librin Ligjet e Manipulimit, Psikologjia e errët, ndërsa Mirac Çağri Aktaș zuri vendin e tetë me librin Pas humbjes fillon jeta.

Mjeku psikiatër dhe i mbijetuari i Holokaustit Viktor E. Frankl zuri vendin e nëntë me librin Në kërkim të kuptimit, një libër që kombinon eksperiencën tmerruese të kampeve të përqendrimit me teorinë e psikoteraupisë.

Në vendin e dhjetë u rendit klasiku shqiptar Tregime të moçme shqiptare nga Mitrush Kuteli. Libri është një përmbledhje koncize e disa prej përrallave më të njohura të kulturës popullore shqiptare dhe ka qenë historikisht libri më i shitur i Shtëpisë së Librit.

***

Kjo është lista e librave më të shitur gjatë vitit 2025 deri më tani, pavarësisht nëse librat janë botuar këtë vit apo janë botuar vitet e shkuara.

Nëse dëshironi të dini mbi librat më të shitur të këtij viti, të botuar gjatë këtij viti, lista është disi më ndryshe.

Vendi i parë dhe i dytë nuk ndryshojnë, por Pas humbjes fillon jeta ngrihet në vend të tretë, dhe Shtëpia dhe palma nga Afaf Tobbala renditet në vend të katërt.

Të poshtëruar libri i ri i Lea Ypit renditet në vend të pestë ndërsa I dashuri, thrilleri tjetër psikologjik nga Freida McFadden renditet në vend të gjashtë. Vëmendjen e lexuesit e kanë tërhequr gjithashtu edhe librat Në qiell ka lumenj nga shkrimtarja turko-britanike Elif Shafak, Ndëshkimi i dytë i Evës nga Artan Fuga dhe Ikona e plagosur nga Mira Meksi.

Disa kryevepra botërore erdhën në shqip gjatë këtij viti, të cilat meritojnë të përmenden pavarësisht se nuk kanë hyrë në listat e të shumëshiturve.

Bionde nga Joyce Carol Oates është një biografi e letrarizuar e ikonës së kinemasë amerikane Marilyn Monroe, shkruar nga një nga shkrimtaret më të jashtëzakonshme të dekadave të fundit.

Punëtorët e detit nga Victor Hugo është një nga tre librat më të rëndësishëm të klasikut francez dhe që nuk ishte sjellë më herët në shqip. Dy librat e tjerë janë Kurrizoja i Notrëdamit dhe Të mjerët. Punëtorët e detit i përket periudhës kur autori jetoi si azilant politik në ishullin Guernsej, pasi u arratis nga Franca që ra nën diktaturën njëzetvjeçare të Napoleonit të Tretë.

Nadja nga André Breton konsiderohet si një nga veprat më përfaqësuese të surrealizmit.

Adhurimi i mbretërve magë nga Michel Tournier është një histori naive dhe e dhunshme në të cilën autori gërmon në burimet e spiritualitetit perëndimor dhe ai na jep versionin e tij origjinal të Legjendës së Artë.

Anatomia e një çasti nga Javier Cercas, risjell në një mënyrë shumë mbresëlënëse tentativën e dështuar për grusht shteti në Spanjën e vitit 1982.

Gjithashtu, shumë vëmendje mori këtë vit, për arsye të kuptueshme, shkrimtari hungarez László Krasznahorkai, i cili fitoi Çmimin Nobel në Letërsi.

Nëse jeni të interesuar për letërsi shqiptare, veçojmë këto libra:

Vorbulla nga Genta Hoda është një roman mbi një vajze “të mbajtur”. Është romani i parë i kësaj autoreje dhe ka tërhequr shumë lexues.

Kufiri  Dëfrim Çeka është romani mbi një histori dashurie të vendosur në kushtet e historisë së pamëshirshme të përjetuar nga shqiptarët nga fundi i viteve ’30 deri pak pas ngjitjes në pushtet të regjimit komunist. Ka shumë arsye për të lavdëruar këtë libër, përfshirë strukturën e qartë të romanit dhe përpjekjen e lavdërueshme të një shkrimtari të gjeneratës së re për t’u përballur me historinë e trazuar të vendit, por ajo që mund të theksohet është kërkimi historik i konsiderueshëm i cili mbështetet si në burime personale ashtu edhe në burimet e zakonshme historike. Romani shkrin në mënyrë shumë të natyrshme disa nga legjendat shqiptare me botën moderne. Këtu, Besa e Kostandinit është një premtim i bukur dashurie. Tensioni ngrihet gradualisht në roman deri sa nga gjysma e dytë lexuesi fillon të mendojë nëse dëshiron që ai roman të ketë fund të lumtur apo të përfundojë në tragjedi.

Nga letërsia e gjeneratës së të rinjve, mund të përmendim edhe Klenti Hodon, romani në vargje i të cilit Katrahurë ndjenjash ka tërhequr lexuesin me meditimet mbi dashurinë dhe makthet.

Po kështu, Aulona Ilasllari i foli gjeneratës së re me poezi dhe romane duke rrëzuar mitin që sugjeron se “gjenerata e Tik Tok-ut nuk lexon”.