Vdekja e këngëtarit Shemi, Policia del me njoftim zyrtar
Policia e Kosovës e ka konfirmuar vdekjen e këngëtarit të njohur Shemsi Krasniqi, të njohur si Shemi.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka bërë të ditur se policia është njoftuar për rastin rreth orës 15:00. Sipas tij, pas pranimit të informacionit, njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
“Rreth orës 15:00 kemi pranuar informatën për një person pa shenja jete në një banesë në rrugën UÇK në Prishtinë. Me të marrë njoftimin, policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull,” ka deklaruar Pllana.
Shemi ishte një nga zërat më ikonikë të muzikës shqiptare, artisti që i dha shpirt këngës që u shndërrua në simbol kombëtar, “Xhamadani vija vija”. Shemi ishte ndër figurat më të njohura dhe më të dashura të skenës muzikore shqiptare, këngëtar dhe vokalist i grupit legjendar “Ilirët”, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e rock-ut dhe muzikës moderne shqiptare.
I lindur dhe i rritur në Kosovë, ai u bë i njohur në vitet ’80 si zëri kryesor i grupit “Ilirët”, një formacion që shumë shpejt u shndërrua në simbol të një brezi të tërë. Në një periudhë kur muzika ishte edhe formë shprehjeje, rezistence dhe identiteti, këngët e interpretuara nga Shemi u kthyen në himne të rinisë shqiptare.
Ai mbetet veçanërisht i paharruar për interpretimin e këngës “Xhamadani vija vija”, e cila me kalimin e viteve u bë një simbol kombëtar, e kënduar në koncerte, festa, tubime dhe ngjarje të rëndësishme kulturore e shoqërore. Zëri i tij i fuqishëm dhe interpretimi emocional i dhanë këngës një identitet të veçantë, që vazhdon të jetojë edhe sot.
