Partizani zbret sërish në fushë, por ndryshon axhenda për sfidën me pretendentët
Partizani do e mbyllë vitin 2025 me një miqësore ndaj Laçit. Axhenda për takimin që do të luhet te stadiumi “Arena e Demave” ka ndryshuar.
Data mbetet e njëjtë, pikërisht të martën e 30 dhjetorit. Në anën tjetër është zhvendosur ora. Kështu ky takim nuk do të nisë në orën 11:00, por në 12:00.
Trajneri Oltijon Kërnaja do të ketë mundësinë, që të shohë edhe njëherë lojtarët në fushë para disa ditëve pushim. Të kuqtë po lënë pas një vit shumë të vështirë.
Laçi mbetet pretendent për t’u rikthyer në Superiore. Aktualisht kurbinasit mbajnë vendin e dytë, me 7 pikë më pak se Skënderbeu kryesues në Kategorinë e Parë.
