Sun, Dec 28, 2025

“Nuk e prisja”/ Xhodi reagon pas largimit nga Big Brother VIP

“Nuk e prisja”/ Xhodi reagon pas largimit nga Big Brother VIP
  • PublishedDecember 28, 2025

Eliminimi i parë i edicionit të pestë të Big Brother VIP Albania ka sjellë reagime dhe diskutime të shumta, pasi gara u mbyll shumë shpejt për Xhodin. Pas një nominimi të fortë përballë Angelos, Senos dhe Lornës, ajo nuk arriti të sigurojë votat e publikut, duke u bërë banorja e parë që la shtëpinë.

Pas daljes, Xhodi ishte e ftuar në Fan Club, ku ndau për herë të parë emocionet dhe ndjesitë e saj pas eliminimit. Ajo pranoi se nuk e kishte pritur një përfundim kaq të shpejtë të rrugëtimit dhe se momenti i largimit e kishte mërzitur.

“Nuk e prisja si eliminim, por mbesa më ktheu tek emocionet, sepse në fund të ditës është familja”, u shpreh ajo, duke treguar se lidhja me të afërmit ishte ajo që e preku më shumë pas daljes nga shtëpia më e famshme në Shqipëri.

E pyetur nga Kiara Tito se si e kishte përjetuar gjyshja eliminimin e saj duke qenë se kishte qenë shumë e entuziazmuar për hyrjen e mbesës në “Big Brother VIP”, Xhodi tregoi se edhe ajo e kishte pritur në shtëpi, por ishte mërzitur nga mënyra se si ndodhi eliminimi.

“Edhe ajo po më priste në shtëpi. U mërzit shumë. Më erdhi nga një person që e njihte, është rritur te ne, nga Laçi. Por gjithsesi, është lojë. Një lojë e dobët dhe e papritur,” tha Xhodi, duke iu referuar nominimit të bërë nga Lorna, e cila e futi në televotim së bashku me veten, Senon dhe Angelon.

Ish-banorja tregoi gjithashtu se familjarët e saj e kishin parë paksa të tërhequr gjatë qëndrimit në shtëpi dhe ishin shqetësuar se mos ajo po përjetonte ndonjë problem.

“Isha koshiente se ku isha, nuk isha e përhumbur,” theksoi Xhodi.