“Frenon” Napoli, Verona i “rrëmben” një pikë, tani Conte sfidon Inter: Shkojmë atje të vendosur, japim maksimumin (VIDEO)
Napoli frenon në momentin më të mirë, ndalet pikërisht atëherë kur më pak pritej, në “Maradona” përballë Verona-s, madje ishin dhe me fat që dolën me një pikë, në një kohë kur Verona kaloi dy herë në avantazh brenda 27 minutash. Frese i befasoi në minutën e 16-të duke realizuar një gol shumë të bukur me finte. Në të 27-tën, Verona fitoi një 11-metërsh i konvertuar në gol nga Orban duke bërë që në stadium të pllakoste heshtja.
Napoli reagoi me fillimin e pjesës së dytë, ku McTominay me kokë ngushtoi shifrat në 1-2. Napoli ushtron presion asfiksues në zonën e Verona-s dhe në minutën e 72-të Hojlund barazoi rezultatin, por pasi rishikoi aksionin në VAR gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për prekje të topit me dorë nga sulmuesi danez. Pas disa përpjekjeve, më në fund, në minutën e 82-të ishte Di Lorenzo që me një goditje të bukur në zonë barazoi shifrat në 2-2, por vetëm kaq, pa mund të dalin me pikë të plota nga kjo sfidë duke bërë që Inter të shkëputet plus 4 pikë.
Nuk e priti mirë këtë hap fals trajneri Conte, kjo pasi në sytë e tij ndeshja u vendos nga disa episode të dyshimta si goli i anuluar: “Nuk ka zhgënjim, këto janë ndeshje që edhe mund t’i humbasësh, pastaj janë edhe këto episodet, si penalltia apo goli i anuluar, në këtë mënyrë bëhet e vështirë, por ne shohim përpara. Sfida direkte me Inter? Do të kemi përballë një ekip që në dy vitet e fundit ka luajtur dy finale në Champions League. Do të shkojmë atje të vendosur, për të dhënë maksimumin duke e ditur që do të ketë një vëmendje të madhe mediatike”, u shpreh Conte.
