Thu, Jan 15, 2026

Pa Conte-n nuk ka festë, Napoli ngec ndaj Parma-s, “arratiset” Inter (VIDEO)

Pa Conte-n nuk ka festë, Napoli ngec ndaj Parma-s, “arratiset” Inter (VIDEO)
  • PublishedJanuary 15, 2026

Pa Conte në stol, Napoli nuk është i njëjti ekip, kjo u vërtetua sërish, me blutë që ngecën në një “X” pa gola përballë Parma-s, për më tepër brenda në “Maradona”. Ky ishte barazimi i tretë radhazi duke bërë që Inter të shkëputet me 6 pikë në garën për titull. Të shtyrë dhe nga publiku, Napoli ishte dominues, kishte kontrollin total të lojës, madje gjetën edhe golin e avantazhit me McTominay që në minutën e 11-të, por me ndihmën e sistemit VAR gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për pozicion jashtë loje.

Napoli spostoi Parma-n në gjysmëfushë, por në debutimin e tij në Serie A portieri Rinaldi zhvilloi një ndeshje fantastike ku në pjesën e parë ndali në dy raste të pastra si Buoingiorno-n ashtu edhe Hojlund.

Në fraksionin e dytë, nga tribuna e stadiumit, Conte ndërhyri në formacion duke hedhur në fushë lojtarë si Neres, Spinazola e Lucca, por pa sukses, me Rinaldin që mbrojti portën e Parma-s me fanatizëm duke i dhuruar ekipit të tij një pikë të çmuar. Në fund, të gjithë vrapuan duke përqafuar portierin, ndërsa në radhët e Napolit ka mllef për këtë hap fals teksa shohin Inter të “arratiset” i vetëm në krye.