Pse Edi kërkon rikthimin në “BBVK”?
Edi ka shprehur hapur dëshirën e tij për t’u rikthyer sërish në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 4, duke iu drejtuar drejtpërdrejt fansave përmes një mesazhi publik në rrjetet sociale. Ish-banori i BBVK ka përdorur llogarinë e tij në Instagram për të kërkuar mbështetjen e publikut, duke i ftuar ndjekësit që të reagojnë masivisht në faqet dhe postimet zyrtare të formatit.
Në mesazhin e publikuar, Edi u ka bërë thirrje fansave që të komentojnë në çdo hapësirë publike ku përmendet Big Brother VIP Kosova, duke kërkuar rikthimin e tij në lojë. “E kam një lutje, në çdo postim te faqja zyrtare e Big Brother, në çdo gazetë, në çdo postim të komentoni dhe të kërkoni rikthimin e Eduard Kuqit (Edit). Hajde sepse ju mundeni ta riktheni Edin në Big Brother”, ka shkruar ai, duke lënë të kuptohet se ende shpreson në një mundësi të dytë.
Kujtojmë se Edi u eliminua nga gara pas një televotimi vendimtar, ku publiku u pyet nëse ai duhej të vazhdonte apo jo qëndrimin në shtëpi. Ky vendim erdhi pas një sërë situatash të tensionuara, ku ai kishte drejtuar ofendime të rënda ndaj publikut dhe banorit Ardit, duke shkaktuar reagime të shumta dhe debat të gjerë në opinionin publik.
Në fund, ishte vetë publiku ai që vendosi për largimin e Edit nga BBVK 4. Megjithatë, me mesazhin e fundit, ai duket i vendosur të kërkojë një rikthim, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo thirrje do të marrë përgjigje pozitive nga produksioni dhe publiku i spektaklit.
