Osman Stafa tregon betejën me alopecinë: Mu shfaq pas infektimit me Covid-19
Gazetari Osman Stafa, ka folur në emisionin On The Road në Top News, për alopecinë.
Stafa rrëfeu se është prekur prej saj pas infektimit nga Covid-19 dhe në një kohë të shkurtër, alopecia avancoi duke sjellë një sfidë të re në jetën e tij. Gazetari tregoi se nuk është se e kaloi keq prekjen nga koronavirusi, nuk pati asnjë lloj problemi, por thjesht e mori pak me ankth dhe ndoshta ndikoi te shfaqja e sëmundjes autoimunitare.
Stafa rrëfen edhe momentin e përballjes me sëmundjen, paragjykimet dhe për forcën për ta pranuar atë. Ai thotë se sëmundja i ndryshoi pamjen, por jo qëllimin. Pa u ndalur asnjë ditë nga misioni i tij, ai dëshmon se vështirësitë nuk të thyejnë kur zgjedh të vazhdosh.
“Ajo çfarë unë kam quhet alopeci totalis, që do të thotë rënia e flokëve dhe qimeve në trup. Mua ma la këtë ‘peshqesh’ Covid-i, më kapi si ankth, si stres. Nisi te mjekra dhe më pas u përhap. Shumë njerëz e komentonin: jo vuan nga kanceri, jo po bën kimioterapi.”
Alopecia është një sëmundje autoimunitare, pasoja e vetme e së cilës lidhet me paraqitjen estetike sepse shkakton rënie lokale ose totale të qimeve të trupit.
