Protestat dhe dhuna në Iran/ Momente paniku për Asanin dhe Lushkjen, bllokohen lojtarët
Momente paniku dhe ankthi për dy futbollistët shqiptarë, Jasir Asani dhe Regi Lushkja, të cilët aktivizohen në kampionatin iranian.
Ndalimi i sinjalit të internetit dhe bllokimi kompanive celulare për shkak të protestave të dhunshme që po zhvillohen në Iran, ka penguar komunikimin me botën jashtë, duke bërë që të mos ketë informacione lidhur me gjendjen e tyre dhe situatën me të cilën po përballen.
Jasir Asani dhe Regi Lushkja padyshim po kalojnë ditë të mirëfillta ankthi në Iran, ku dy futbollistët janë pjesë e klubeve vendase.
Protestat popullore dhe shtypja e tyre me dhunë në Iran ka paralizuar vendin duke sjellë pasoja edhe për dy futbollistët shqiptarë që janë përkatësisht pjesë e Esteghlal dhe Traktor FC.
Si Asani, ashtu edhe Lushkja, janë zhdukur prej një jave nga rrjetet sociale, ashtu si në fakt i gjithë futbolli e jo vetëm në këtë vend. Shkak është bërë ndalimi i sinjalit të internetit që nga fillimi i protestave me urdhër të shtetit iranian dhe gjithashtu edhe i sinjaleve të kompanive të telefonisë celulare, duke bërë të pamundur lidhjen me botën jashtë.
Një situatë kaotike, pasi nuk jepen informacione mbi atë që po ndodh edhe me shtetasit e huaj në këtë vend. Situata është aq ekstreme, sa kush ka mundur, është strehuar në ambasadat apo konsullatat e shteteve përkatëse.
Vetë trajneri i Esteghlal, skuadrës së Asanit, portugezi Rikardo Sa Pinto, është mbyllur prej dy ditësh në ambasadën e Portugalisë në Teheran. Ai ka postuar disa video në rrjete sociale për t’u treguar të gjithëve se ishte shëndosh e mirë.
Ndërkohë, nuk ka për momentin informacione si për Asanin, ashtu edhe për Lushkjen, klubet përkatëse të të cilëve kanë ndërprerë publikimet në internet dhe rrjete sociale prej më shumë se një jave, ashtu si edhe vetë futbollistët në fjalë.
