Tue, Jan 20, 2026

Bylisi gabon me rivalët, zhgënjimi nga merkato ia bën mbijetesën edhe më të vështirë

Bylisi gabon me rivalët, zhgënjimi nga merkato ia bën mbijetesën edhe më të vështirë
  • PublishedJanuary 20, 2026

Bylisi pësoi humbjen e dytë brenda pak ditësh, teksa u mundën në transfertë nga Flamurtari. Megjithatë, nga dje ekipi ka nisur të fokusohen te sfida ndaj Egnatias në shtëpi.

Bylisi jo vetëm që nuk e mbylli mirë vitin 2025, por as nisja e 2026-s në kampionat nuk ka qenë pozitive. Në tri ndeshjet e para të këtij viti ngushëllohen vetëm me një kualifikim të vuajtur në Kupën e Shqipërisë ndaj Laçit. Në kampionat, Bylisi ende nuk ka provuar shijen e pikës për 2026-ën.

Në dy përballje direkte me rivalë për mbijetesën, si Tirana dhe Flamurtari, Bylisi u mund. Kjo i ka futur në një krizë rezultatesh dhe ka komplikuar ndjeshëm garën për qëndrimin në elitë. Gabimet ndaj kundërshtarëve direktë kanë bërë që beteja për mbijetesën të bëhet edhe më e fortë, ndërsa rezultate të ndryshme do ta kishin lehtësuar ndjeshëm situatën.

Te Bylisi kanë ndodhur edhe lëvizje në merkato. Sulmuesi Runi është larguar, ndërsa janë afruar portierët Girau dhe Radu. Megjithatë, të dy ende duken larg pritshmërive. Ndërkohë, kalendari sa vjen dhe vështirësohet

. Të shtunën, ballshiotët janë të detyruar të “shtrëngojnë dhëmbët” ndaj Egnatia, pasi ecuria e rivalëve direktë në javët e fundit e bën situatën më të ndërlikuar. Sfidat e vërteta nisin pikërisht tani për Bylisin, pasi do të përballen me ekipe që luftojnë për titullin.

Pas Egnatias, në kalendar vijnë duele të forta ndaj Dinamos, Partizanit, Teutës dhe Vllaznisë. Në Ballsh është koha për të bërë llogari serioze për vazhdimësinë e sezonit.