Lajmi që askush nuk e priste për Schumacher, ja çfarë po ndodh me gjendjen e tij
Legjenda e Formula 1, Michael Schumacher, i cili u lëndua rëndë në një aksident me ski 12 vjet më parë, raportohet se nuk është më i shtrirë në shtrat. Sipas zbulimeve ekskluzive të Daily Mail+, shërimi i ngadaltë i 57-vjeçarit gjerman ka mbetur një sekret i ruajtur me fanatizëm, i njohur vetëm nga familja e tij e ngushtë dhe një rreth shumë i kufizuar miqsh të besuar.
Burime pranë Schumacherit thonë se ai tashmë është ulur në një karrige me rrota dhe mund të lëvizë brenda pronave të tij luksoze, vilës prej 30 milionë paundësh në Majorka dhe rezidencës prej 50 milionë paundësh në Gland, në brigjet e Liqenit të Gjenevës. Përkujdesja ndaj tij sigurohet nga bashkëshortja Corinna, me të cilën është i martuar prej 30 vitesh, së bashku me një ekip infermierësh dhe terapistësh që ofrojnë kujdes 24 orë në ditë. Ky shërbim i specializuar raportohet se kushton dhjetëra mijëra paund në javë.
Privatësia e Schumacherit konsiderohet absolute. Që nga dëmtimi i rëndë në tru që pësoi pasi u përplas me shkëmbinj pranë resortit të skive Meribel në Alpet Franceze, ai është mbajtur larg vëmendjes publike.
Vitit e kaluar, disa ish-anëtarë të stafit u dënuan pasi tentuan të shisnin imazhe të tij në gjendje të rëndë shëndetësore. Po ashtu, raportimet se Schumacher do të merrte pjesë në dasmën e vajzës së tij Gina në vitin 2024 u përgënjeshtruan si të pavërteta.
Ndër vite kanë qarkulluar spekulime se ai vuante nga pseudokoma ose sindroma e “locked-in”, një gjendje ku pacienti është plotësisht i vetëdijshëm, por i paaftë për të komunikuar përveçse përmes lëvizjes së syve. Megjithatë, burime pranë familjes kanë mohuar edhe këto pretendime.
“Përshtypja është se ai kupton disa nga gjërat që ndodhin përreth tij, por ndoshta jo gjithçka”, ka thënë një burim i afërt.
