Tue, Feb 3, 2026

Historia e Hamid: Një tregim mbi vdekjen dhe rrëshqitjen e Europës drejt kampeve offshore për emigrantët

Historia e Hamid: Një tregim mbi vdekjen dhe rrëshqitjen e Europës drejt kampeve offshore për emigrantët
  • PublishedFebruary 3, 2026

Një fytyrë e njohur në periferinë e Torinos, Hamid Badoui dukej një kandidat i pamundur për t’u shndërruar në pamjen tragjike të eksperimentit më ambicioz të Italisë për ndalimin e emigrantëve jashtë kufijve të saj.

Një endacak dhe ish-shitës frutash në treg, me origjinë marokene – i cili kishte jetuar në Itali për rreth 15 vjet – ai e kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij duke hyrë e dalë nga burgu për krime të vogla të lidhura me varësinë nga droga. Në fillim të vitit 2025, ai po përpiqej të pastrohej nga varësia dhe të rregullonte jetën e tij.

Por në vend të kësaj, Hamidi u dërgua në qendrën e emigrantëve në Shqipëri, projektin kryesor të kryeministres italiane Giorgia Meloni.

Ai ishte ndaluar së fundmi në një qendër riatdhesimi në jug të Italisë. Një natë në prill, rojet e zgjuan, ia lidhën duart dhe e shoqëruan në një autobus. Disa orë më vonë, ai u sistemua në një anije ushtarake me destinacion Gjadrin, një fshat i largët shqiptar, ku Italia ka ndërtuar një kamp të fortifikuar, i projektuar për të mbajtur persona të pajisur me urdhra dëbimi.

41-vjeçari ishte i tmerruar. Duke luftuar me varësinë nga kokaina dhe i bindur se do të dërgohej përsëri në Marok, ai lutej gjatë telefonatave të shkurtra që i lejohej të bënte nga Gjadri, nën vëzhgimin e rojeve, që dikush ta ndihmonte për të siguruar lirimin e tij. Hamidi u lirua disa javë më vonë, por u arrestua sërish vetëm dy ditë pas kthimit të tij në Itali.

Në orën 06:31 të mëngjesit të 19 majit, ai u gjet i vdekur në qelinë e tij në burgun Lorusso e Cutugno të Torinos. Mbyti veten duke përdorur lidhëset e këpucëve.

“Mendja ime nuk arrin ta pranojë këtë,” tha motra e tij, Zahira Badoui, në një sërë mesazhesh për BIRN. “Dukej si ëndërr. Mendoja vazhdimisht: nesër do të zgjohem, ka qenë thjesht një makth.”

Zahira, 32 vjeçe, një shtetase italiane e natyralizuar që jeton në të njëjtën lagje të Torinos si vëllai i saj, është e bindur se përvoja traumatike e Hamidit në Gjadër e çoi atë drejt vetëvrasjes.

“Ai ishte i tmerruar”, tha ajo. “Më tha se burgu ishte më i mirë sesa të ishte atje.”

Për shumë prej atyre që e njihnin Hamidin, vdekja e tij ilustron mizorinë dhe barrën psikologjike të qendrave të emigracionit jashtë vendit, ku individët ndalohen në vende të treta, larg familjeve të tyre.

Ndërsa shtete të tjera të BE-së po përpiqen të kopjojnë “qendrat e kthimit”, duke dëshmuar se një ide dikur margjinale është kthyer tashmë në qendrore për Europën, ngrihen pikëpyetje se si Evropa arriti në këtë pikë – dhe deri ku është e gatshme të shkojë.

Një jetë në zgrip

Hamid Badoui, 42 vjeç, u vetëvra pas kthimit në Itali prej Gjadrit. Familja dyshon se transferimi ka ndikuar. Foto kortezi nga e Zahira Badoiui.

I lindur në qytetin maroken Oued Zem, Hamidi u largua nga atdheu i tij drejt Spanjës në moshën 15-vjeçare, ku siguroi një leje qëndrimi spanjolle dhe një diplomë si kamerier. Më vonë ai u shpërngul në Itali, duke punuar herë pas here si kuzhinier, përpara se të binte pre e varësisë.

“Ai ishte gjithmonë jashtëzakonisht i sjellshëm në burg,” tha për BIRN Luca Motta, ish-avokati i Hamidit, duke shtuar se klienti i tij kishte kaluar pesë nga shtatë vitet e fundit të jetës pas hekurave.

Në kohën që ishte jashtë burgut, ai u pa shpesh duke fjetur nën një urë për të mos e shqetësuar familjen. Nëna e tij e ndante kohën mes Torinos dhe Marokut. Zahira e shikonte e pafuqishme teksa varësia e tij përkeqësohej.

Ai paraqitej rregullisht për ushqim në një qendër ditore të drejtuar nga organizata bamirëse Gruppo Abele, ku përdoruesit e drogës mund të merrnin shiringa sterile dhe të pastrehët përfitonin kupona për dush.

“Ai ishte gjithmonë shumë bujar,” tha Ioana Ciureanu, e cila drejton qendrën e shpërndarjes së Gruppo Abele. “Na thoshte: ‘Është i ri, ndihmojeni, ka temperaturë, nuk është mirë’… Nëse na duhej të ndërmjetësonim me persona që ishin tipa pak më të vështirë, ai ishte gjithmonë i gatshëm.”

Pas arrestimit të tij në vjeshtën e vitit 2024, Hamidi dukej i vendosur të ndryshonte, duke u regjistruar vetë në një klinikë për të varurit nga droga përpara lirimit të tij të pritur në janar 2025.

Megjithatë, në vend që të lirohej, ai u transferua menjëherë në një qendër riatdhesimi (CPR) në qytetin jugor italian të Brindisit, pasi leja e tij e qëndrimit kishte skaduar. Më 9 prill, ai u transferua në Shqipëri.

Brenda Gjadrit

Raportet mjekësore të Hamidit, të cilat janë ndarë me BIRN, tregojnë se ai vuante nga “dhimbje koke”, “dhimbje të forta abdominale” dhe “pagjumësi”. Një raport e përshkruan atë si “depresiv” dhe “agresiv”, ndërsa një tjetër vë në dukje se ai nuk kishte ngrënë për pesë ditë.

“Ai ankohet për shqetësime të theksuara në qendrën e Gjadrit,” shkroi një psikolog shqiptar në kamp më 15 prill 2025. “Rekomandohet monitorimi i gjendjes së tij.”

Cecilia Strada, një eurodeputete italiane, tha për BIRN se e kishte takuar Hamidin gjatë një inspektimi të qendrës më 27 prill.

“Ai ishte në gjendje tejet të rënduar psikologjike”, tha ajo. “Ishte shumë prekëse.”

Strada kujtoi frikën e tij se mos e kthenin përsëri në Marok. “Ai tha: ‘Shiko, mora një diplomë në Torino, kam studiuar… Kam bërë gabime në jetën time, por jam një njeri i mirë – jam i aftë – dhe po më kthejnë përsëri në vendin tim’.”

Motta, avokati i tij, tha se kishte marrë “dy ose tre” telefonata prej tij ndërsa ndodhej në Shqipëri, të gjitha të zhvilluara nën mbikëqyrje.

“Një frazë që ai ma përsëriste në mënyrë pothuajse obsesive ishte: ‘Burgu është më mirë sesa të rrish këtu’”, tha Motta. “Më lutej të bëja gjithçka që mundesha për ta nxjerrë prej andej.”

Çështja iu referua Anna Moretti-t, një avokate emigracioni me seli në Milano, e cila argumentoi se Hamidi nuk duhej të ishte dërguar kurrë në Shqipëri për shkak të gjendjes së tij të brishtë shëndetësore dhe lidhjeve familjare në Itali.

Më 13 maj, një gjykatë në Romë pezulloi ndalimin e tij dhe urdhëroi lirimin e menjëhershëm. Tre ditë më vonë, ai ishte përsëri në Torino.

Dy ditë pasi u kthye, ai thirri policinë pasi i kishin vjedhur kartën e tij të re SIM, të cilën sapo e kishte blerë, raportoi gazeta italiane La Stampa. I zhgënjyer kur oficerët nuk e ndihmuan, ai goditi me shkelm makinën e policisë dhe u arrestua menjëherë.

Pamje të filmuara me telefon dhe të shpërndara nga mediat italiane tregojnë gjysmë duzine makinash policie dhe një turmë njerëzish që mblidhen. Ndërsa oficerët e futën atë me forcë në një automjet, kalimtarët dëgjohen duke bërtitur me zë të lartë se policia po e “vriste” atë.

“I kisha thënë të sillej mirë dhe të ruante qetësinë derisa të kthehesha nga fakulteti”, kujton Zahira, praktikante në një kurs për asistente shëndetësore. “Kështu do të kisha mundur ta çoja në shtëpi.”

Eksperimenti i Melonit

Kryeministrat Edi Rama dhe Giorgia Meloni gjatë konferencës për shtyp në Lezhë. Foto: LSA.

Skema e Italisë me Shqipërinë u prezantua në vitin 2023 nga Meloni dhe homologu i saj shqiptar, Edi Rama. Me një buxhet prej 653 milionë eurosh për pesë vjet, ajo u paraqit si një mjet i fuqishëm parandalues kundër kalimeve të paligjshme me varka.

Plani mori lëvdata nga elita drejtuese e BE-së, me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që vlerësoi mendimin “jashtë kornizave” të Italisë dhe u bëri thirrje vendeve të tjera të mësojnë nga ky shembull.

Sipas skemës, Italia u zotua të përpunonte deri në 36,000 emigrantë çdo vit në dy struktura në Shqipëri, në Shëngjin dhe Gjadër, të konceptuara fillimisht si një qendër jashtë territorit ku do të shqyrtoheshin kërkesat për azil të të ndaluarve. Që atëherë, skema është përballur me sfida të përsëritura ligjore. Në përpjekje për ta shpëtuar atë, vitin e kaluar Gjadri u riprogramua si një vend ndalimi për persona që tashmë kishin marrë urdhra dëbimi në Itali.

Duke akuzuar qeverinë për shpërdorim të fondeve publike, deputetë të opozitës në Itali kanë pretenduar se skema pesëvjeçare ka gjasa të kushtojë 1 miliard euro. Një investigim i mëparshëm i BIRN përcaktoi se vetëm kostot e ndërtimit të qendrave kishin tejkaluar ndjeshëm buxhetet fillestare.

Mbështetësit e Melonit këmbëngulin se plani përcjell një mesazh të fuqishëm të tolerancës zero ndaj emigracionit të parregullt. Në një postim në X shtatorin e kaluar, ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi përgëzoi faktin se një trafikant qeniesh njerëzore, i lindur në vitin 1992 dhe i gjetur fajtor për transportimin e 59 emigrantëve drejt Italisë me një varkë 15-metërshe, ishte riatdhesuar nga Gjadri.

Erinda Ballanca, e cila qe Avokate e Popullit e Shqipërisë deri në dhjetor 2025 dhe vizitoi Gjadrin më 2 tetor, i vlerësoi kushtet në këtë qendër, duke thënë për BIRN se ajo ishte “qendra më e mirë që kam parë ndonjëherë në jetën time” dhe “shumë herë më e mirë” sesa qendra të ngjashme.

Strada, megjithatë, e përshkruan atë si “të dhunshme” dhe “brutale” krahasuar me CPR-të në Itali. “Gjadri është shkatërrues”, tha ajo. “Ai përfshin shkëputjen e njerëzve nga realiteti i tyre, nga realiteti që ata njohin, përfshirë familjet e tyre.”

Riccardo Magi, kreu i partisë së majtë italiane More Europe, thotë se deri në tetor 2025 vetëm 200 persona u transferuan në Gjadër që nga fillimi i nismës. Shumë prej tyre besohet se janë mbajtur aty për më pak se një muaj.

Sipas protokollit zyrtar, personat e riatdhesuar nga Gjadri duhet fillimisht të kthehen në Itali përpara se të transferohen në vendet e tyre të origjinës. Megjithatë, gazeta italiane Altreconomia raportoi vitin e kaluar se pesë shtetas egjiptianë ishin dëbuar drejtpërdrejt nga qendra shqiptare më 9 maj, duke cituar dokumente policore.

Evropa ndjek shembullin

Pavarësisht pengesave, fuqitë e tjera evropiane kanë treguar vendosmëri për të ndjekur shembullin e Italisë.

Në dhjetor, Këshilli i Europës miratoi përfundimisht ndryshime të kuadrit të tij ligjor që u lejojnë vendeve të BE-së të ngrenë qendra riatdhesimi, të njohura si “qendra kthimi”, në vende të treta.

Qeveria holandeze kishte njoftuar që në shtator se kishte rënë dakord të bashkëpunonte me Ugandën për kthimin e azilkërkuesve të refuzuar përmes një pike tranziti në këtë vend.

Ministri i Migracionit i Greqisë, Thanos Plevris, zbuloi në nëntor se Gjermania po udhëhiqte përpjekjet për të ngritur një “qendër kthimi” në Afrikë, të ngjashme me modelin Itali–Shqipëri, së bashku me vende të tjera të BE-së.

Por ata që e njohin skemën Itali–Shqipëri kanë vënë në dyshim nëse qendrat jashtë territorit do të jenë ndonjëherë një faktor efektiv parandalues, duke sugjeruar se migrantët shpesh as nuk janë në dijeni të ekzistencës së tyre.

“Njerëzit që vijnë nga Eritrea apo Afganistani nuk kanë absolutisht asnjë ide për ligjet,” tha për BIRN Agron Shehaj, kreu i partisë së vogël të qendrës së djathtë Mundësia, me dy deputetë në Parlamentin e Shqipërisë.

Shehaj emigroi në Itali në moshën 14-vjeçare në një anije në vitin 1991, përpara se të bëhej një sipërmarrës dhe politikan i suksesshëm.

“Kur u larguam nga Vlora, nuk e dinim ç‘na priste.” Ai kujton si anekdotë se gjatë udhëtimit të tij drejt Italisë, autoritetet përdorën helikopterë për t’u thënë migrantëve të ktheheshin mbrapsht. “Bërtisnin me megafon: ‘Kthehuni, kthehuni!’”, tha Shehaj. Por migrantët nuk flisnin italisht dhe menduan se helikopteri kishte ardhur për t’i marrë.

“Kampet janë thjesht një mënyrë që qeveritë të thonë: ‘po bëjmë diçka’”, tha ai.

Një ide e vjetër e rilindur

Pamje ajrore e kompleksit të Gjadrit, i ndërtuar kryesisht me njësi të parafabrikuara pas disa shtresave rrethimi dhe barrierave prej betoni. Foto: Elvis Hila

Praktika e ndalimit të emigrantëve në kampe jashtë vendit ka ekzistuar të paktën për tetëdhjetë vjet, tha për BIRN David FitzGerald, profesor në Universitetin e Kalifornisë, San Diego. Në vitin 1945, ndërsa britanikët përpiqeshin të kufizonin emigrimin e hebrenjve pas Luftës së Dytë Botërore, Marina Britanike ndaloi mijëra emigrantë që përpiqeshin të arrinin Palestinën me varkë dhe i dërgoi ata në kampe internimi në vende si Qiproja.

Përpunimi më sistematik i kërkesave për azil jashtë vendit u shfaq në fillim të viteve 1990, veçanërisht në SHBA. Në vitin 1991, pas krizës së refugjatëve haitianë pas rrëzimit të presidentit Jean Bertrand Aristide, SHBA-ja i vendosi emigrantët që mbërrinin me varkë në Gjirin e Guantanamos, një territor i kontrolluar prej saj në juglindje të Kubës, i njohur më vonë për kampet e mbajtjes së të dyshuarve si terroristë.

Në kulmin e kampit, atje u mbajtën deri në 21,000 haitianë dhe 30,000 kubanezë.

Vendet e tjera kanë mësuar që atëherë nga këto përvoja, duke lejuar atë që FitzGerald e quajti “përhapje e njohurive dhe teknikave në mbarë botën”.

Australia ngriti qendra jashtë vendit në Nauru, një ishull i vogël në Paqësor, dhe në Ishullin Manus, ishulli i pestë më i madh në Papua Guinea e Re. Hapja e këtyre qendrave nga qeveria e djathtë e kryeministrit John Howard në vitin 2001 u shoqërua me debate të ashpra dhe objektet janë hapur dhe mbyllur disa herë që atëherë.

Edhe pse, ndryshe nga SHBA-të në Guantanamo, Australia i pagoi qeveritë pritëse për përdorimin e territorit, skemat janë të lidhura ngushtë.

“Ata po merrnin qartazi shembull nga amerikanët”, tha FitzGerald për qeverinë australiane.

Modeli është rikthyer së fundmi, me administratën Trump që në maj i dha fund statusit të përkohshëm ligjor për gjysmë milioni njerëzve – nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela – dhe kërkoi destinacione të mundshme për vendosjen e tyre jashtë territorit.

Në qershor, Bloomberg raportoi se administrata i kishte kërkuar Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit t’i pranonin ata.  Kosova njoftoi në dhjetor se kishte filluar të pranonte individë nga SHBA-ja që kishin marrë urdhra dëbimi

Nga mbrojtja te eksternalizimi

Shtetet anëtare të BE-së fillimisht iu qasën përpunimit jashtë vendit me më shumë kujdes, duke qenë të vetëdijshme se eksperimente të tilla binin ndesh me kornizën e gjerë të të drejtave të njeriut që kishin ndërtuar gjatë 75 viteve të fundit.

Ky kuadër, i rrënjosur në traktatet ndërkombëtare si Konventa e Refugjatëve e OKB-së e vitit 1951, përcakton detyrime thelbësore, përfshirë parimin e moskthimit (non-refoulement) – ndalimin për të kthyer këdo në një vend ku jeta ose liria e tij do të ishte e kërcënuar.

Megjithatë, në dekadat e fundit, konfliktet në rritje dhe presionet politike gjithnjë e më të mëdha i kanë vënë në dyshim këto angazhime.

Krijimi i zonës Shengen në vitin 1985, sistemi i 29 vendeve evropiane që hoqi kontrollin e kufijve të brendshëm, ndihmoi në zhvillimin e idesë së “Fortesës Europë” që duhej mbrojtur.

“Shengeni nxit idenë se Evropa duhet të krijojë kufij të jashtëm shumë më të fortë për të gjithë Evropën, si krah i kundërt i zvogëlimit të kufijve të brendshëm”, shpjegoi FitzGerald.

Danimarka ishte një nga avokatët e hershëm të këtij modeli, duke propozuar një draft-rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për krijimin e “qendrave të përpunimit” në Evropën Lindore dhe ndoshta Afrikë për të frenuar refugjatët nga Bashkimi Sovjetik që po shpërbëhej. Plani u refuzua me vendosmëri nga vendet e tjera anëtare të OKB-së, të cilat e panë atë si një dështim të solidaritetit me Jugun Global.

Megjithatë, ideja është rishfaqur periodikisht, me Aad Kosto, ministrin holandez të drejtësisë nga Partia Laburiste e qendrës së majtë, i cili propozoi në një konferencë të ministrave evropianë në Athinë në 1993 se qendrat e azilit jashtë vendit do t’u lejonin emigrantët të qëndronin afër familjeve të tyre.

“Ka pasur periudha ngritjeje dhe rënieje, por sa herë që emigracioni bëhet një çështje më e madhe politike në lajme, dikush e ringjall këtë ide”, tha FitzGerald.

Pas sulmeve të 11 shtatorit, debatet mbi emigracionin u ndërthurën gjithnjë e më shumë me shqetësimet e sigurisë, ndërsa më shumë varka filluan të mbërrinin në Lampedusa dhe Ishujt Kanarie të Spanjës.

“I gjithë lloji i luftës globale kundër terrorizmit shkonte dorë për dore me këtë”, tha Miriam Ticktin, profesoreshë e Antropologjisë në CUNY Graduate Center, e cila ka shkruar për qendrat e përpunimit të kërkesave për azil jashtë territorit nga vendet e Europës.

Në vitin 2003, kryeministri britanik, Tony Blair hodhi në tavolinë një plan më të detajuar. Ai propozoi krijimin e “qendrave tranzite” jashtë BE-së, në rrugët e migracionit, ku do të përpunoheshin kërkesat për azil. Ideja u mbështet nga Danimarka dhe Austria, u kundërshtua fort nga Suedia dhe përfundimisht u refuzua nga Këshilli Europian.

Ide të ngjashme pasuan shpejt. Në vitin 2004, Otto Schily, ministri i Brendshëm i qendrës së majtë në Gjermani, i cili fillimisht kishte qenë kritik ndaj propozimit britanik, filloi të lobonte për krijimin e “zonave të sigurta” të financuara nga BE-ja në Afrikën Veriore. Sipas planit, emigrantët të ndaluar në Mesdhe do t’i nënshtroheshin një shqyrtimi paraprak dhe më pas do të dërgoheshin ose në BE, ose në vendet e tyre të origjinës prej andej.

Schily argumentoi se qendrat do t’u mundësonin vendeve të BE-së të refuzonin anijet si Cap Anamur, një anije e operuar nga një OJQ gjermane për kërkim dhe shpëtim, e cila në vitin 2004 solli 37 emigrantë nga Gana dhe Nigeria në Itali pavarësisht ndalimit të ankorimit.

Gjermania refuzoi t’i lejonte këta emigrantë të aplikonin për azil dhe kërcënoi se do të ndërmerrte veprime ligjore ndaj stafit të OJQ-së, duke shkaktuar zemërim në vend. Italia i dëboi emigrantët.

Komisioni Evropian fillimisht u distancua nga propozimi i Schily-t, me zëdhënësin Pietro Petrucci që tha për gazetarët se ai propozim nuk kishte bazë ligjore.

Italia, megjithatë, dëboi fshehurazi mijëra emigrantë me fluturime charter drejt qendrave të ndalimit të ndërtuara nga Italia në Libi në vitet 2003 dhe 2004, pa verifikuar nëse ndonjëri prej tyre kishte të drejtë për azil, sipas gjetjeve të një dosjeje hetimore të BE-së në atë kohë.

Dosja hetimore gjithashtu zbuloi se Italia i kishte siguruar Libisë 1,000 qese për trupa të pajetë.

Një krizë emigracioni ndryshon qëndrimin e Evropës

Një autobus charter dhe automjete të policisë italiane rreshtohen në port, ndërsa një anije ushtarake ankorohet gjatë një operacioni transferimi. Foto: Nensi Bogdani

Ekuilibri anoi në mënyrë vendimtare në favor të përpunimit të kërkesave për azil jashtë vendit gjatë krizës së emigracionit të vitit 2015, kur më shumë se 1.3 milionë persona mbërritën në Evropë – numri më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore. Ata po iknin nga luftërat në Siri dhe Irak, nga pasiguria në Afganistan dhe nga vështirësitë ekonomike.

Shumica mbërritën me anije, kryesisht në Itali dhe Greqi, ose në rrugë tokësore përmes Ballkanit, duke nxitur kështu mbështetjen për partitë e ekstremit të djathtë dhe duke ekspozuar përçarjet brenda bllokut, pasi Hungaria dhe Austria mbyllën kufijtë e tyre.

Në vitin 2016, kryeministri hungarez Victor Orban, një mbrojtës i sovranitetit kombëtar, i cili e ka portretizuar emigracionin masiv si një kërcënim ekzistencial për identitetin kulturor të Hungarisë, kërkoi nga BE-ja të krijonte një “qytet të madh refugjatësh” në Libi për të përpunuar kërkesat për azil.

Vitin e ardhshëm, presidenti francez Emmanuel Macron, një mbështetës i zjarrtë i federalizmit evropian, i cili ka thënë se pranimi i emigrantëve është një “detyrim humanitar” dhe një “çështje dinjiteti”, propozoi krijimin e qendrave të përpunimit të kërkesave për azil në Afrikën e Veriut për t’i dekurajuar emigrantët të bënin kalime “të çmendura” me varka në Mesdhe.

“Më parë, njerëzve u vinte turp ose ndiheshin në siklet të thoshin se po magazinojmë njerëz dhe nuk po ndjekim konventat e OKB-së dhe konventat për refugjatët… dhe ende kishte një farë besimi në ligjet ndërkombëtare”, tha Ticktin.

“Mendoj se tani nuk ka më besim te humanizmi dhe nuk ka besim që të gjithë njerëzit kanë të drejta themelore”, vazhdoi ajo.

Ky qëndrim i ri u reflektua më qartë në Mbretërinë e Bashkuar. Në prill 2022, Boris Johnson, atëherë kryeministër, njoftoi skemën e Ruandës, duke thënë se nisma prej 720 milion £ do të “shpëtonte jetë të panumërta” dhe do të shkatërronte modelin e biznesit të “trafikantëve të qenieve njerëzore”.

Sipas marrëveshjes pesëvjeçare, emigrantët e paligjshëm dhe azilkërkuesit në Mbretërinë e Bashkuar do të transferoheshin në Ruandë për përpunim, ndërsa Mbretëria e Bashkuar do të pranonte një numër të pacaktuar “refugjatësh më të cenueshëm” që jetonin atje.

Megjithatë, propozimi u përball me vështirësi ligjore. Një fluturim i planifikuar për të transportuar shtatë pasagjerë më 14 qershor 2022 u anulua disa minuta para nisjes, pasi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut nxori një masë të përkohshme duke deklaruar se një pasagjer, një azilkërkues irakian, përballej me një “rrezik real për dëme të pakthyeshme” nëse do të transportohej në Ruandë.

Gjykata e Apelit e Mbretërisë së Bashkuar dhe më pas Gjykata Supreme e shpallën planin të paligjshëm dhe marrëveshja u anulua përfundimisht. “U bë turpëruese për qeverinë britanike”, tha Ticktin.

Po atë vit në Itali, një shtim i ri i mbërritjeve të emigrantëve ndihmoi në ardhjen në pushtet të Giorgia Melonit, me një platformë të qartë kundër emigracionit. Duke paralajmëruar se Italia po bëhej “kampi i refugjatëve i Evropës”, ajo premtoi një “bllokadë detare” për të ndaluar mbërritjen e varkave me refugjatë.

Ndërsa prezantonte qendrat e saj për emigrantët bashkë me Edi Ramën vitin pasardhës, Meloni e paraqiti planin si një model për kontinentin. “E konsideroj këtë si një marrëveshje vërtet evropiane”, tha ajo, duke shtuar se kjo tregonte se “është e mundur të punojmë së bashku në menaxhimin e fluksit migrator”.

Kostoja njerëzore pas kësaj politike

Një hyrje me siguri të lartë shënon perimetrin e kampit të ndalimit në Gjadër. Foto: Vladimir Karaj

Disa i kanë lavdëruar ato që ata i quajnë kushte mbi ato standarde brenda qendrave.

“Nga pikëpamja e të drejtave të njeriut, isha e shqetësuar para se të shkoja, por ajo që pashë brenda ishte shumë ndryshe nga ajo që pretendohet”, tha Ballanca, ish-Avokatja e Popullit e Shqipërisë.

Gjatë një vizite më 2 tetor, ende në detyrë, Ballanca tha se kishte biseduar individualisht me 17 të ndaluar, disa prej të cilëve sipas saj i thanë: “Këtu jemi si në parajsë.” Ajo shtoi se të ndaluarit kishin televizorë, shtretër të përshtatshëm dhe tualete në dhomat e tyre.

Të tjera raste, megjithatë, tregojnë një histori më të errët me ndarje të papritura, dështime procedurale dhe mosrespektim të dukshëm të rregullave italiane.

*Karimi, një shtetas algjerian dhe baba i dy fëmijëve, i cili kishte jetuar në Itali për 19 vjet, u transferua në një qendër italiane ndalimi pas përfundimit të një dënimi të shkurtër me burg shkurtin e kaluar.

Ndërsa mbahej në CPR-në në Gradisca d’Isonzo në verilindje të Italisë, ai mbante kontakt të rregullt me telefon me fëmijët e tij, tani 3 dhe 6 vjeç, të cilët janë të dy shtetas italianë.

“Ata i telefononin shpesh dhe bënin edhe telefonata me video”, tha për BIRN Gennaro Santoro, avokati që e përfaqësoi Karimin gjatë kohës së tij në kamp.

Më 10 prill, Karimi u transferua papritur me anije në Gjadër, me duar të lidhura. Atij nuk iu dha asnjë shpjegim me shkrim për transferimin dhe autoritetet italiane nuk arritën ta jepnin një të tillë pavarësisht kërkesave të avokatëve të tij.

Një dokument i brendshëm i ndarë me BIRN tregon se USMAF, autoriteti shëndetësor italian përgjegjës për shqyrtimin e emigrantëve para transferimit në Shqipëri, kërkon që të gjithë të ndaluarit që dërgohen në Gjadër të marrin një “certifikatë përshtatshmërie për jetesë në një komunitet të kufizuar” 48 deri 72 orë para nisjes.

Pas transferimit, kontakti i tij me familjen dhe avokatët e tij u kufizua ndjeshëm, duke u kufizuar në vetëm një telefonatë dalëse në ditë.

Pak kohë pas zhvendosjes, eurodeputetja italiane Strada u kontaktua më 14 prill nga ish-partnerja e Karimit, *Sabina. “Ai u transferua atje pa asnjë mundësi për të kontaktuar një avokat ose për të na informuar”, shkroi ajo, sipas një emaili të parë nga BIRN. Sabina e përshkroi lëvizjen si “jo njerëzore dhe tepër të padrejtë”.

Rastësisht, Strada e kishte takuar Karimin gjatë një inspektimi të kampit një ditë më parë. “Ai ishte shumë i shqetësuar”, tha ajo. “Na tha: ‘Gorizia është një parajsë krahasuar me këtë vend. Këtu është çmendinë’.”

Strada tha se i ndaluari ishte “i tmerruar nga perspektiva e kthimit në Algjeri” dhe shqetësohej për gjendjen shpirtërore të të tjerëve në kamp. “Ka njerëz që bërtasin, njerëz që lëndojnë veten”, kujtoi Strada t’i ketë thënë ai.

Një gjykatës më vonë urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Karimit, duke cituar të drejtën e tij për jetë familjare sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Që atëherë ai është rikthyer në Itali, ku pret vendimin për lejen e qëndrimit dhe ka kërkuar zyrtarisht kompensim nga ministria e Brendshme për ndalimin e paligjshëm.

“Vende të tmerrshme” që nuk ndalojnë migracionin

Jo të gjithë të ndaluarit kanë arritur të lirohen. Vitin e kaluar, Ahmedi*, një 23-vjeçar algjerian që kishte marrë një urdhër dëbimi në Itali, ku jetonte, u transferua në disa CPR të ndryshme nga janari deri në mes të majit. Më pas ai u dërgua në Gjadër, sipas një padie për dëmshpërblim të parë nga BIRN.

Ditën pas mbërritjes së tij, Medihospes, kompania që mbikëqyr shërbimet në qendër, i dërgoi Santoro-s, avokatit të tij të caktuar, të dhënat mjekësore të pjesshme të Ahmedit.

Ato zbuluan “vulnerabilitete serioze psikologjike”, përfshirë histori pagjumësie dhe ankthi, dhe treguan se ai po trajtohej me medikamente që zakonisht jepen për skizofreni dhe çrregullim bipolar, thuhet në padi.

“Ky është një person që nuk duhej të ishte dërguar kurrë në Shqipëri”, tha Santoro për BIRN.

Në një telefonatë, Ahmed i tha Santoro-s se kishte gëlltitur xham nga një dritare e thyer si gjest proteste. Policia, sipas tij, e kishte këshilluar të mos kërkonte mbrojtje ndërkombëtare.

Santoro raportoi menjëherë rastin te GNPL, autoriteti kombëtar italian për monitorimin dhe mbrojtjen e të drejtave të individëve, dhe u planifikua një rivlerësim për përshtatshmërinë e Ahmedit për t’u mbajtur i ndaluar. Dhjetë ditë më vonë, më 29 maj, pas shumë hetimesh, Medihospes konfirmoi se Ahmedi ishte konsideruar i papërshtatshëm për t’u ndaluar dhe vendosur në Gjadër.

Policia italiane më pas e informoi Santoro-n se Ahmedi ishte riatdhesuar në Algjeri një ditë më parë, pa pritur rezultatin e rivlerësimit. Santoro tha se që prej atij momenti i kishte humbur të gjitha kontaktet me klientin e tij.

Kritikët pretendojnë se qendrat shqiptare kanë shkatërruar jetë pa qenë nevoja, shpesh duke ndëshkuar njerëzit vetëm për mungesë të thjeshtë dokumentesh të vlefshme.

“Ky model i padenjë i trajtimit të emigrantëve, për të cilin Shqipëria do të përbëjë precedent, pa dyshim që rrezikon të kthehet në një praktikë sa i përket trajtimit të çështjes së emigrantëve”, tha Redi Muçi, deputet shqiptar nga partia e majtë Lëvizja Bashkë.

Hamid Badoui, marokeni që kreu vetëvrasje pasi u kthye në Itali nga Shqipëria, kishte planifikuar ta rregullonte statusin e tij ligjor sapo shëndeti i tij mendor të stabilizohej.

“Për të, marrja në dorë e situatës ligjore nuk ishte prioritet në atë moment”, tha Ciureanu, punonjësja e qendrës ditore në Torino që e kishte mbështetur Hamidin. “Ajo që kishte rëndësi ishte që ai të kujdesej për veten e tij.”

Për disa vëzhgues, efikasiteti i qendrave të emigrantëve jashtë vendit mbetet i diskutueshëm. “Ato janë vende të tmerrshme”, tha Ticktin, “por kjo nuk do t’i ndalojë njerëzit të vijnë.”

“Ata do të shkojnë atje ku duhet të shkojnë për të mbijetuar.”

*Emrat janë ndryshuar për të mbrojtur identitetin.

Realizimi i këtij investigimi u mbështet me një grant nga fondit IJ4EU. International Press Institute, IPI, European Journalism Centre, EJC, dhe çdo partner tjetër në fondin IJ4EU nuk janë përgjegjës për përmbajtjen e publikuar dhe çdo përdorim të saj.