E quanin të “papërshtatshëm”, 50 ndeshje si trajneri, Chivu fiton Inter
Cristian Chivu preku një kuotë të rëndësishme në karrierën e tij si trajner, 50 ndeshje në stol, sigurisht jo shumë, por këtë shifër Chivu e arriti në krye të një ekipi të madh si Inter dhe për më tepër në pozita fantastike, në garë dhe favorit për të fituar titullin e tij të parë në karrierë. Deri në këtë pikë, arritja më e madhe e Chivu-t si trajner ishte shpëtimi i Parma-s, por sot tekniku rumun synon të fitojë titullin në Serie A. Për Chivu-n do të ishte një arritje e madhe, një rekord, të fitonte titullin në Itali në vitin e tij të parë si trajner.
Në fillim, kur u ul në stolin e Inter, dyshimet rreth tij ishin shumë të mëdha, madje pjesa më e madhe e opinionin sportiv e konsideronin si të “papërshtatshëm” për stolin e Inter. Në fakt, Chivu nuk ishte zgjedhja e parë për post-Inzaghi, Marotta synonte Fabregas, por në fund tekniku spanjoll vendosi të qëndrojë te Como duke detyruar bosin e Inter të vendoste një bast të fortë, t’i besonte stolin një trajneri pa eksperiencë si Cristian Chivu, por një ish lojtar i famshëm që e njihte shumë mirë ambientin.
Nga Botërori për Klube dhe deri në këtë pikë të sezonit, jo gjithçka ka shkuar në mënyrë perfekte, ekipi i tij shpesh ka hasur probleme në limitet e lojës, sigurisht ka shfaqur edhe probleme në përballjet me ekipet e mëdha, kujtojmë këtu humbjet kundër Juventus, Napoli e Milan, por në fund, askush nuk ka bërë më mirë se ekipi i tij teksa kryesojnë me meritë Serie A. Janari shihej si prova e së vërtetës, një provë që Inter e kaloi me sukses, madje duke thelluar edhe diferencën me ndjekësit në Serie A.
Në këtë rrugëtim të tij të shkurtër, me 36 në Serie A, 8 në Champions, 4 në Botërorin për Klube, 1 në Kupën e Italisë dhe 1 në Superkupë, Chivu ka bindur, ka fituar jo vetëm Inter, por edhe respektin e opinionin sportiv.
