Sun, Feb 8, 2026

Premier League/ Arsenal nuk fal ndaj Sunderland, United “pa frena” me Carrick në krye, Chelsea mbetet në garë për zonën Champions

Premier League/ Arsenal nuk fal ndaj Sunderland, United “pa frena” me Carrick në krye, Chelsea mbetet në garë për zonën Champions
  • PublishedFebruary 8, 2026

Premier League dhuron spektakël dhe verdikte të rëndësishme në luftën për titull dhe zonën Champions. Arsenal vazhdon arratisjen në krye të renditjes, Manchester United konfirmon formën e shkëlqyer, ndërsa Chelsea merr një fitore të artë në transfertë.

Në “Emirates”, Arsenal mposht 3-0 Sunderland pas një ndeshjeje më të vështirë seç tregon rezultati. Gunners zhbllokojnë sfidën në fund të pjesës së parë me goditjen nga distanca të Zubimendi-t, ndërsa në pjesën e dytë shpërthen Viktor Gyökeres, autor i dy golave që vulosin suksesin. Me këtë fitore, Arsenal shkon në 56 pikë dhe krijon një avantazh prej 9 pikësh ndaj ndjekësve.

Në “Old Trafford”, Manchester United fiton 2-0 ndaj Tottenhamit dhe regjistron suksesin e katërt radhazi. Ndeshja ndryshon në minutën e 29-të, kur Romero ndëshkohet me karton të kuq, duke lënë Spurs me dhjetë lojtarë. United përfiton dhe kalon në avantazh me Mbeumo, përpara se Bruno Fernandes të mbyllë llogaritë në pjesën e dytë. Red Devils ngjiten në kuotën e 44 pikëve, duke qëndruar pranë zonës Champions, ndërsa Tottenham zhytet në vendin e 14-të.

Fitore edhe për Chelsean, që kalon 3-1 në fushën e Wolverhamptonit. Protagonist absolut Cole Palmer, autor i një triplete në pjesën e parë, dy herë nga penalltia dhe një herë me aksion të ndërtuar. Wolves shkurtojnë diferencën në pjesën e dytë, por Blues administrojnë rezultatin dhe marrin tre pikë të rëndësishme, duke u ngjitur në 43 pikë, vetëm një larg Manchester United-it.