Tue, Feb 10, 2026

Malen bën “bomberin” në kryeqytet, Roma kap Juven. Fiton edhe Atalanta, VAR i ngrin festën Gjimshitit (VIDEO)

Malen bën “bomberin” në kryeqytet, Roma kap Juven. Fiton edhe Atalanta, VAR i ngrin festën Gjimshitit (VIDEO)
  • PublishedFebruary 10, 2026

Me Inter që po zhvillon një kampionat më vete, favorit absolut në garën për titull në Serie A, shumë e fortë pritet të jetë “beteja” për një vend në Champions, kjo falë edhe Romën, me ekipin e Gasperinit që triumfoi 2-0 përballë Cagliari-t duke kapur Juve në vendin e katërt në kuotën e 46 pikëve.

Në kryeqytet po lind një idhull i ri, me Malen që bëri “bomberin” duke realizuar një “dopietë” golash. Në sytë e Tottit, Malen shënoi një gol të bukur në minutën e 25-të, një finalizim në stilin “lugë” që solli festë në stadium. Roma nuk e vuri ndeshjen në asnjë moment në dyshim, me golin e dytë erdhi në minutën e 65-të, ku Malen u shërbye pastër në zonë nga Celik.

E shijoi në maksimum këtë fitore trajneri Gasperini i cili nuk i kurseu elozhet edhe për sulmuesin holandez: “Me vjen keq vetëm se nuk shënuam më shumë, mbi të gjitha në pjesën e parë. Malen? Isha i bindur dhe jam i bindur se do të shënojë shumë gola”, theksoi ndër të tjera Gasperini.

Një fitore të rëndësishme siguroi edhe Atalanta, me ekipin e Gjimshitit që triumfoi 2-1 përballë Cremoneses, një sukses që mban të ndezur objektivin e tyre për të siguruar një vend në Evropë. Bergamaskët zgjidhën gjithçka brenda fraksionit të parë me dy gola të shpejtë nga Krstovic dhe Zappacosta. Në limitet e ndeshjes, në minutën e 91-të gjeti rrugën e rrjetës edhe kapiteni kuqezi, Berat Gjimshiti. Për fat të keq, VAR i ngriu festën duke anuluar gjithçka për pozicion jashtë lojë. Cremonese ngushtoi shifrat në 2-1 në minutën e 94-ët, por pa i prishur festën Atalantës.