Tue, Feb 10, 2026

Timothée Chalamet “prezanton” fanellën e re të Saint-Etienne në televizionin francez!

Timothée Chalamet “prezanton” fanellën e re të Saint-Etienne në televizionin francez!
  • PublishedFebruary 10, 2026

Timothée Chalamet përjetoi një nga momentet më të papritura dhe njëkohësisht më “futbollistike” të karrierës së tij gjatë një daljeje televizive në Francë, që u kthye menjëherë në viral në rrjetet sociale. Aktori 30-vjeçar, i njohur për rolet e tij në filmat Dune dhe Call Me by Your Name, ka qenë gjithmonë i hapur për pasionin e tij ndaj futbollit dhe veçanërisht për dashurinë ndaj klubit francez AS Saint-Étienne një lidhje që këtë herë u shndërrua në një moment televiziv plot emocione.

Gjatë një interviste në televizionin francez TF1, gazetarja Anne-Claire Coudray e surprizoi aktorin me fanellën e re të Saint-Étienne, ende të paprezantuar zyrtarisht për publikun. Reagimi i Chalamet ishte i menjëhershëm dhe i sinqertë: dukshëm i emocionuar, ai e mori fanellën në duar, puthi emblemën e klubit një gjest tipik i tifozëve dhe më pas e veshi aty për aty.

Surpriza nuk përfundoi me kaq. Në pjesën e pasme të fanellës ishte stampuar emri i tij, së bashku me numrin 42, një detaj që e bëri momentin edhe më personal dhe simbolik. Pamjet e këtij reagimi autentik u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke u komentuar gjerësisht nga fansat e aktorit dhe të klubit.

Fanella e re, e dizenjuar nga marka sportive Hummel, mbart një koncept vizual të lidhur ngushtë me identitetin e klubit. Modeli i veçantë në pëlhurë është frymëzuar nga elementë të emblemës së Saint-Étienne një dizajn që ishte zgjedhur nga vetë tifozët në vitin 2022, si pjesë e një procesi modernizimi të identitetit vizual të ekipit.

Ky kombinim mes pasionit personal të aktorit dhe simbolikës së fanellës e ktheu momentin në një reklamë të papritur, por shumë efektive për klubin francez, duke e vendosur Saint-Étienne në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.