Britney Spears shet të drejtat për të gjithë katalogun e saj muzikor
Britney Spears ia ka shitur të drejtat e të gjithë katalogut të saj muzikor shtëpisë diskografike “Primary Wave” për 200 milionë dollarë. Këngëtarja, kujdestaria afatgjatë e së cilës ka formësuar jetën e saj private dhe profesionale për vite me radhë, është e njohur për hitet e saj “…Baby One More Time”, “Oops!… I Did It Again”, “Toxic” dhe “Gimme More”.
Në janar të vitit 2024, këngëtarja deklaroi se “nuk do të kthehej kurrë në industrinë e muzikës” . Kënga e saj e fundit ishte një duet me Elton John, i publikuar në vitin 2022.
“Primary Wave”, me të cilën Britney nënshkroi një kontratë më 30 dhjetor të vitit të kaluar, ka blerë më parë të drejtat për trashëgiminë muzikore të Notorious BIG, Prince dhe Whitney Houston.
Në vitet e fundit, edhe yje të tjerë të mëdhenj kanë shitur katalogët e tyre, përfshirë Bruce Springsteen, Justin Bieber, Justin Timberlake dhe Shakira.
Springsteen ia shiti katalogun e tij muzikor Sony-t për 500 milionë dollarë në vitin 2021, ndërsa Bieber thuhet se nënshkroi një marrëveshje prej 200 milionë dollarësh me Hipgnosis Songs Capital në vitin 2023. Primary Wave u themelua 20 vjet më parë, kur menaxheri i muzikës Lawrence Mestel bleu 50 për qind të katalogut të Nirvana të Kurt Cobain.
Britney Spears është një nga këngëtaret femra më të shitura të të gjitha kohërave, me më shumë se 150 milionë albume të shitura në të gjithë botën. Katalogu i saj përfshin nëntë albume studioje që nga debutimi i saj në vitin 1999.
