Thu, Feb 12, 2026

Redon Makashi përlotet: Tim atë nuk e vlerësuan kurrë, 1 firmë e vetme e la jashtë titujve të nderit

Redon Makashi përlotet: Tim atë nuk e vlerësuan kurrë, 1 firmë e vetme e la jashtë titujve të nderit
  • PublishedFebruary 12, 2026

Pak ditë pas ndarjes nga jeta të aktorit të njohur shqiptar Fitim Makashi, kantautori Redon Makashi ka ndarë një rrëfim të ndjerë në emisionin “Ftesë në pesë”, përballë moderatores Bieta Sulo. I prekur emocionalisht, artisti foli për humbjen e të atit dhe për pengun që, sipas tij, e shoqëroi deri në fund.

Fitim Makashi, i njohur për dhjetëra role në kinematografinë shqiptare shpesh në figurën e “personazhit të mirë” u nda nga jeta më 31 janar, duke lënë pas një kontribut të rëndësishëm artistik. Për Redonin, kjo humbje shoqërohet edhe me një ndjenjë padrejtësie që, sipas tij, e ka rënduar shumë aktorin në vitet e fundit.

“Iku me një peng të madh,” u shpreh këngëtari mes emocionesh. Ai tregoi se i ati nuk arriti të merrte vlerësimin institucional që mendonte se e meritonte për kontributin e tij në art. “Ia kisha përgatitur letrat. Kur pamë në televizor se nga 15 personalitete që u vlerësuan ai kishte mbetur jashtë, u trishtua shumë,” rrëfeu Makashi.

Sipas tij, vendimi për të mos përfshirë aktorin në listën e të vlerësuarve lidhej me një firmë të vetme nga një figurë e lartë, detaj që ai e ndau për herë të parë publikisht gjatë intervistës.

Përtej dhimbjes, Redon Makashi kujtoi edhe momente të bukura me të atin, duke rikthyer një episod nga vitet ’70 në kinemanë “Agimi”, kur shfaqej filmi “Prita”. Ai përshkroi emocionin e asaj kohe dhe ndikimin që arti dhe figura e të atit kishin në formimin e tij personal dhe artistik.