Fri, Feb 13, 2026

Azis kopjon “Valle Kosovare” të Shpat Kasapit?

Azis kopjon “Valle Kosovare” të Shpat Kasapit?
  • PublishedFebruary 12, 2026

Bashkëpunimi më i ri mes dy emrave të njohur të skenës bullgare, Azis dhe Tsvetelina Yaneva, ka ngjallur diskutime edhe në publikun shqiptar. Dyshja kanë publikuar këngën “Havte”, një projekt me ritme tipike ballkanike dhe me videoklip të realizuar në ambientet e një aeroporti, por ajo që ka tërhequr menjëherë vëmendjen është linja melodike e këngës.

Shumë dëgjues shqiptarë kanë vënë re ngjashmërinë e fortë mes “Havte” dhe hitit të njohur “Valle Kosovare”, këngë e cila identifikohet me emrin e artistit të ndjerë Shpat Kasapi. Sipas reagimeve në rrjete sociale, melodia e refrenit duket pothuajse identike me atë të këngës shqiptare, duke ngritur pikëpyetje mbi origjinalitetin e projektit të ri.

Kjo situatë vjen në një moment kur “Valle Kosovare” po përjetonte një rikthim të fuqishëm në arenën ndërkombëtare. Kënga ishte kthyer në trend në TikTok, duke u përdorur në miliona video nga përdorues të ndryshëm, përfshirë edhe të huaj. Viraliteti i saj e riktheu fuqishëm në qarkullim një nga hitet më të dashura të muzikës shqiptare.

Megjithatë, në kreditet zyrtare të “Havte”, e prodhuar nga Costi, nuk përmendet asnjë referencë për autorët e “Valles Kosovare” apo për vetë Shpat Kasapin. Kjo ka shtuar edhe më shumë debatet online, ndërsa publiku mbetet të gjykojë nëse kemi të bëjmë me një frymëzim, një përshtatje apo një kopjim të drejtpërdrejtë të këngës ikonike shqiptare.

https://youtube.com/watch?v=5eNLzWbkzQ4&si=t1fhuSQPkyxBtUZj