Dortmund “tremb” Bayern, likuidon Mainz me “poker” golash (VIDEO)
6 fitore radhazi në Bundesligë mbajnë B.Dortmund në garë për titull në Gjermani. Ekipi i Niko Kovac po kalon një formë të jashtëzakonshme duke vendosur nën presion Bayern Munich, e ndjekin “këmba këmbës” duke ngushtuar provizorisht diferencën në vetëm 3 pikë. Verdhezinjtë likuiduan pa shumë probleme Mainz duke dalë me 3 pikë pas suksesit të pastër 4-0.
Guirassy realizoi golin e parë pas vetëm 10 minutash lojë, ku me një goditje të saktë me kokë brenda në zonë tundi rrjetën. Pesë minuta më vonë ishte Beier që dyfishoi shifrat. Në fundin e pjesës së parë, ishte sërish Guirassy që kompletoi “dopietën” e tij personale dhe golin e tretë për Dortmund.
Në “Signal Iduna Park” pjesa e mbetur e këtij takimi nuk kishte shumë histori, me vendasit që gjetën edhe golin e katërt në fundin e ndeshjes duke e kthyer në festë këtë takim.
