Sat, Feb 14, 2026

Çfarë përfaqëson sot Dita e të Dashuruarve?

Çfarë përfaqëson sot Dita e të Dashuruarve?
  • PublishedFebruary 14, 2026

Sot, më 14 shkurt, në mbarë botën festohet Dita e të Dashuruarve, një festë e lidhur me figurën e Shën Valentini, ipeshkëv dhe martir i hershëm i krishterimit, i cili konsiderohet pajtori i të fejuarve dhe i çifteve. Kjo ditë shënohet me shkëmbim dhuratash, mesazhesh dashurie dhe gjestesh simbolike që shprehin përkushtimin dhe ndjenjat mes partnerëve.

Sipas traditës, Valentini jetoi në shekujt III–IV dhe ishte ndër ipeshkvijtë e parë të Terni, në Itali. Ai njihej për jetën e tij të përkushtuar ndaj fesë dhe për përhapjen e mesazhit të dashurisë, paqes dhe besimit. Gjatë sundimit të perandorit Aureliani, Valentini u burgos për shkak të besimit të tij të krishterë dhe, sipas burimeve kishtare, u ekzekutua më 14 shkurt të vitit 273 në Romë. Reliket e tij besohet se ruhen ende në Terni, qytet që edhe sot e nderon si shenjt mbrojtës.

Me kalimin e shekujve, përkujtimi fetar mori një dimension më të gjerë kulturor, duke u shndërruar në një festë universale të dashurisë. Sot, 14 shkurti nuk është vetëm një ditë për çiftet, por një moment reflektimi mbi vlerat e dashurisë së vërtetë, e cila kërkon sakrificë, besnikëri dhe dhurim të sinqertë ndaj tjetrit.

Në thelb, mesazhi i kësaj dite mbetet ai i Shën Valentinit: dashuria është forca që bashkon njerëzit dhe kapërcen çdo sfidë.