Fri, Feb 20, 2026

“Mendoj se do të rinovoj”, Ancelotti i dashuruar pas Brazilit

“Mendoj se do të rinovoj”, Ancelotti i dashuruar pas Brazilit
  • PublishedFebruary 20, 2026

Carlo Ancelotti po e shijon në maksimum aventurën e tij në krye të Brazilit, me teknikun italian që është përfshirë totalisht në këtë eksperiencë të tij të parë si një trajneri i një ekipi përfaqësues. Në Brazil, edhe përfaqësues të Federatës janë të kënaqur me punën e bërë nga Ancelottit, me palët që kanë nisur negociatat për rinovimin e kontratës.

Për herë të parë, Ancelotti foli publikisht në lidhje me këtë temë duke zbuluar se edhe dëshira e tij është të vijojë bashkëpunimin, është gati të rinovojë deri në 2030: “Mendoj se do të rinovoj me Brazilin edhe për katër vite të tjera. Kam një punë që më pëlqen shumë”, u shpreh italiani.

Kontrata aktuale e Ancelottit është e vlefshme deri në përfundim të Botërorit FIFA 2026. Brazili bën pjesë në Grupin C së bashku me Marokun, Haitin dhe Skocinë. Italiani u ul në stolin e 5-herë kampionëve të botës në maj të 2025 duke u shndërruar në trajnerin e parë të huaj në historinë e Brazilit, njëkohësisht trajneri më i paguar në histori. Në 8 ndeshje, me të në stol, Brazili siguroi një biletë në Botërorin FIFA 2026 duke siguruar 4 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje.

I ndryshëm është diskutimi në lidhje me Neymar, prezenca e tij në Botërorin FIFA 2026 është totalisht e pasigurt, ndërsa së fundmi ylli brazilian u shpreh i paqartë edhe në lidhje me të ardhmen e tij ku nuk e përjashtoi opsionin për t’u tërhequr nga futbolli pasi të përfundojë kontrata me Santos në dhjetor 2026: “Nuk e di çfarë do të ndodhë, mund të tërhiqem nga futbolli edhe në dhjetor. Do të jetë një vendim zemre”, u shpreh Neymar.