Bebe Rexha: Partneri im ishte homoseksual, të gjithë e kishin kuptuar përveç meje
Këngëtarja me famë botërore Bebe Rexha ka qenë së fundmi e ftuar në emisionin “Overheard Happy Hour”, ku ka dhuruar një intervistë të hapur, spontane dhe plot humor. Mes dollive dhe një atmosfere festive, artistja foli pa dorashka për jetën personale, përvojat sentimentale dhe rrugëtimin e saj artistik, duke tërhequr vëmendjen e publikut dhe mediave.
Një nga momentet më të komentuara të intervistës ishte rrëfimi për një lidhje të kaluar. Rexha tregoi se ish-partneri me të cilin kishte qenë për tetë muaj rezultoi të ishte homoseksual. Me ironi dhe natyrshmëri, ajo ngriti gotën duke thënë: “Gëzuar për ish-të dashurin tim që doli gay”, deklaratë që u shoqërua me të qeshura dhe reagime të shumta.
Artistja pranoi se të gjithë miqtë e saj, madje edhe nëna, e kishin kuptuar situatën përpara saj. E vërteta, sipas saj, doli në pah gjatë periudhës së Krishtlindjeve, kur partneri ndodhej larg, ndërsa në fillim të lidhjes ai ishte treguar shumë i përkushtuar dhe i dashuruar.
Gjatë bisedës, Bebe Rexha foli edhe për këngën “Çike çike”, duke theksuar se për një kohë të gjatë ishte rritur me idenë se duhej të përshtatej me modelin “All American”. Sot, sipas saj, të qenit shqiptare është kthyer në superfuqinë e saj më të madhe, si në jetë ashtu edhe në muzikë.
Intervista u mbyll me një tjetër dolli simbolike, këtë herë për pavarësinë artistike. “Jam e pavarur dhe ndihem më në fund e lirë”, u shpreh ajo. Fansat e pritën paraqitjen me entuziazëm, duke vlerësuar sinqeritetin, humorin dhe autenticitetin që e karakterizon këngëtaren.
