“Vrastar” nga këndi, Arsenal “thyen” edhe Chelsea-n, mban Man.City larg, Arteta: Fitore e madhe, jam i lumtur (VIDEO)
3 goditje nga këndi, 3 gola dhe shumë spektakël, me Arsenal që triumfon 2-1 ndaj Chelsea-t duke mbajtur të ndezur objektivin titull. “Topçinjtë” konfirmojnë edhe një herë se goditjet standarde janë “arma” e tyre më e fortë ku në minutën e 21-të ishte Saliba ai i cili brenda në zonë dërgoi topin në rrjetë duke bërë që tifozët në “Emirates” të shpërthenin në festë.
Ekipi i Arteta-s bëri gjithçka vetë në këtë derbi, ku në fundin e pjesës së parë, një devijim i pafat bëri që Chelsea të barazonte shifrat në 1-1. Ashtu si në pjesën e parë, edhe në fraksionin e dytë, gjatë zhvillimeve të një goditje këndi, ishte Timber që riktheu Arsenal në avantazh në minutën e 66-të. Katër minuta më vonë, Chelsea mbeti me 10-të lojtarë pas daljes me karton të kuq të Neto-s. Pavarësisht se me një lojtar më pak, blutë nuk u dorëzuan tentuan deri në fund të shmangnin këtë humbje, por portieri Raya bëri pjesën e tij duke mbajtur në lojë këtë fitore të madhe që shërben për të mbajtur larg Man.City, për momentin e shohin veten +5 nga “qytetarët”.
Pas ndeshjes, Mikel Arteta u shfaq i kënaqur me këtë fitore, edhe pse në sytë e mediat dhe opinionit, ekipi i tij nuk zhvilloi një ndeshje të kënaqshme: “Chelsea është një ekip i madh dhe me shumë cilësi, me lojtarë me shumë personalitet. Diferencat mes dy ekipeve janë shumë të vogla. Sigurisht që mund të bënim edhe më mirë, por në fund për mua kjo ishte një fitore e madhe dhe jam shumë i lumtur për këtë”, u shpreh Arteta.
