Të vogla dhe informale, por grupet ultranacionaliste po kërkojnë zgjerim në Shqipëri
Pasditen e 25 nëntorit 2025, Fakulteti i Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës i hapi dyert një debati ideologjik mbi ngritjen dhe rënien e sistemeve – një temë e preferuar e diskursit aktual global për shkak të politikave të ndjekura nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Në panel u ngjitën dy pedagogë të shkencave ekzakte, një ish-ushtarak në pension, një aktiviste e Partisë Demokratike në opozitë si dhe themeluesi i një lëvizjeje underground – që studiuesit e klasifikojnë në ideologjinë e së djathtës ekstreme.
I filmuar nga një kamera amatore me plane të ngushta, paneli përcillte një tonalitet thuajse dramatik.
“Ky është fundi i historisë tani,” dëgjohet të thotë Orsin Bakalli, një 29 vjeçar me pamje serioze. “Ne nuk e arritëm fundin e komunizmit… por do të arrijmë tani fundin e rendit liberal,” shton ai.
Bakalli është themeluesi i “Brerore”, një organizatë pak e njohur përtej qarqeve të ngushta në sferën online, e cila së fundmi po përfaqësohet edhe me emrin “Boshti Kombëtar”. Nisur nga publikimet në faqen e saj në internet, “Brerore” pretendon se është lëvizje nacionaliste dhe antikomuniste, ndërkohë që publikon edhe literaturë fashiste.
Bakalli e refuzon termin ekstremi i djathtë si një shpikje të viteve të fundit për “gjueti shtrigash”.
“Ne jemi ultranacionalistë,” tha ai në një kafe në zonën e ish-Bllokut në fillim të shkurtit, ndërsa shtoi: “Ne kemi për qëllim që ta ribëjmë Shqipërinë”.
Nëpërmjet metodave kërkimore të burimeve të hapura (OSINT), BIRN identifikoi dy grupime të tjera, të cilat e përfaqësojnë veten me simbole të përdorura nga lëvizjet fashiste apo naziste të shekullit të XX. Në qendër të propagandës së tyre janë narrativat nacionaliste për ruajtjen e traditës dhe identitetit kombëtar si dhe qëndrimet kundër komunizmit, sistemit liberal kapitalist apo kundër komunitetit LGBT.
Të fragmentizuara dhe me një bazë në dukje të vogël mbështetësish, këto grupime po përpiqen së fundmi që të fitojnë popullaritet, duke rezonuar idetë e tyre me lëvizjen MAGA në Shtetet e Bashkuara.
Takimi i zhvilluar më 25 nëntor në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, FSHN, bie ndesh me legjislacionin shqiptar, që i pengon institucionet e arsimit të lartë që të angazhohen në aktivitete politike.
Por administratori i FSHN, Robert Skënderi i tha BIRN se aktiviteti nuk ishte organizuar nga Fakulteti, por nga vetë studentët, të cilët janë pjesë e Këshillit Studentor.
“Pasdite sallat janë të lira sepse s’ka mësim dhe shpesh studentët, duke qenë pjesë e Këshillit Studentor, i krijojnë aktivitetet duke i publikuar në rrjetet sociale me inisiativën e tyre,” tha Skënderi.
“Ne me rregullore nuk na lejohen aktivitete politike brenda institucionit, por pak a shumë kjo situatë më kujton akademinë e majtë që u krijua,” shtoi ai.
Ndikim i kufizuar
“E djathta ekstreme” është një term ombrellë që përdoret për shumë grupime të spektrit të djathtë të politikës dhe shpeshherë, vetë termi shkakton debate, për shkak se përdoret për të përshkruar grupime shumë të ndryshme që variojnë nga partitë politike populiste tek rrjetet e dhunshme neonaziste.
Megjithatë, këto grupime kanë disa tipare të përbashkëta, të tilla si ultranacionalizmi, sovranizmi, ksenofobia apo homofobia – të cilat shfaqen në forma të ndryshme në varësi të kontekstit.
Në Shqipëri, ideologjitë e ekstremit të djathtë nuk kanë shënuar deri më tani suksese elektorale për t’u përfaqësuar në politikën zyrtare. Megjithatë, ato ekzistojnë në hapësirën virtuale e rrethe të ngushta shoqërore, ndërsa po synojnë ta zgjerojnë bazën e tyre të mbështetësve.
Albanian Third Position, ATP, konsiderohet lëvizja e vetme haptazi neofashiste në Shqipëri, sipas një raporti të vitit 2022 të Rrjetit për Ndërgjegjësimin e Radikalizmit, një rrjet i mbështetur nga Komisioni Evropian. ATP kundërshton komunizmin, demokracinë dhe fetë abrahamike, ndërkohë që promovon traditën dhe paganizmin.
Logoja e ATP është një simbol i njohur si “Wolfsangel” – Kthetrat e Ujkut – i përdorur nga njësitë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sot ky simbol përdoret nga grupe neo -nazizste dhe të esktremit të djathtë në Evropë, përfshirë rrymat e lidhura me Pozicionin e Tretë.
Përveç postimeve në rrjetet sociale, grupi poston fotografi të anëtarëve të vet gjatë aktiviteteve në natyrë apo në aktivitete ndërkombëtare. Megjithatë, drejtuesit apo mbështetësit janë të panjohur dhe fytyrat e tyre mbulohen zakonisht me ikonën e kafkës me thikë në gojë në postimet e rrjeteve sociale.
Zona Nacionaliste është një tjetër grupim i ekstremit të djathtë me prezencë vetëm në rrjetin Telegram. Grupimi shfaq simbole nacionaliste dhe shprehet kundër “komunitetit LGBT, drogës dhe komunizmit”. Mbështetësit e Zonës Nacionaliste veprojnë gjithashtu në anonimitet, ndërkohë që përdorin shenjën e kafkës për të mbuluar identitetin e tyre.
Ndryshe nga dy grupimet e mësipërme, “Brerore” nuk përdor simbole të dhunshme në kanalet e veta në rrjetet sociale. Megjithatë, grupimi promovon literaturë fashiste dhe mbështet një retorikë përjashtuese, sidomos ndaj komunitetit LGBT.
Sipas studiuesit të së djathtës ekstreme, Fabio Bego, këto grupime në Shqipëri kanë për momentin ndikim të kufizuar në ambientet online, nëpër stadiume apo në rrethe të ngushta shoqërore. Por ai vëren me shqetësim retorikën dhe përdorimin e simboleve të dhunshme si një karrem për të tërhequr sa më shumë ndjekës.
“Siç duket në faqet e ATP dhe Zone Nacionaliste, ruajtja e anonimatit nuk është diçka neutrale, por shoqërohet me imazhe agresive. Vendosja e kafkave në vend të fytyrës është një maskë që përdoret për të ushtruar terror psikologjik ndaj ‘armiqve’ të tyre,” tha Bego.
“Nga një pikëpamje më e përgjithshme, mbulimi i fytyrës, estetika fash-wave apo pseudonimet baroke mund të jenë mënyra për t’i dhënë vetes një nuancë misteri, për t’u dukur ‘cool’ dhe për të tërhequr followers,” shtoi ai.
Për Michael Coulborne, një gazetar i specializuar mbi të djathtën ekstreme transnacionale në Bellingcat, funksionimi i këtyre grupimeve si rrjete informale dhe pa një hierarki të qartë, nuk është unik vetëm për Shqipërinë. Sipas tij, grupime të tilla po synojnë që t’i normalizojnë prirjet antidemokratike në shoqëri, edhe në rastet kur veprojnë brenda kufijve të ligjit.
“Ato synojnë që prirjet antidemokratike, anti-LGBT+ dhe anti-emigracion, ndër të tjera, të bëhen më të pranuara në diskursin kryesor shoqëror dhe politik,” tha Coulborne.
ATP e refuzon lidhjen me të djathtën ekstreme dhe pretendoi se po sulmohej në mënyrë të verbër nga mediat ultra-majtiste, përmes një komunikimi online me BIRN. ATP pretendoi gjithashtu se simbolet e saj nuk kishin lidhje me ushtritë naziste apo fashiste, por simbolizonin një “rilidhje me traditën, rimëkëmbjen e saj dhe rrënjët identitare të Shqipërisë”.
“Qëndrimi ideologjik i ATP është Pozicioni i Tretë Politik, një botëkuptim që rrënjët i ka në traditën kombëtare si dhe në atë evropiane, nga ku ka origjinën dhe bën pjesë vendi ynë,” deklaroi ATP.
“Pozicioni i Tretë është kundër botës moderne dhe spektrit modern politik demokratik dhe si rrjedhojë kundërshton qëndrimet e së majtës komuniste dhe të djathtës kapitaliste,” shtoi ajo.
Nën frymëzimin e MAGA
Disa përfaqësues të këtyre grupimeve i thanë BIRN se zhvillimet në Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump dhe lëvizjes MAGA po i ndihmonin ata që të shprehen më lirshëm në hapësirën publike; ndërkohë që të tjerë po mendojnë që t’i strukturojnë grupimet e tyre drejt një projekti politik.
Erjoni* rreth të 30-ave foli me BIRN në kushtet e anonimatit dhe tha se pavarësisht historisë dhe konjukturës politike, idetë fashiste janë sot më të përhapura sesa mund të mendohet në shoqërinë shqiptare.
Ai vetë është pjesë e një grupimi të vogël miqsh, që mbështeti protestat e udhëhequra nga Koalicioni “Pro Familjes dhe Jetës” i drejtuar nga pastori Akil Pano kundër miratimit të ligjit për “Barazinë Gjinore” në nëntor 2025.
Erjoni thotë gjithashtu se ndjek me pozitivitet iniciativat në mbrojtje të trashëgimisë iliro-shqiptare apo ato për dekomunistizimin e jetës sociale, kulturore dhe edukative.
“Ne sot jemi vetëm grupe të vogla miqsh, bërthama me katër, pesë apo dhjetë shokë, pa ndonjë lidhje strukturore mes veti që bashkëndajmë të njëjtin vizion dhe ideologji politike,” tha ai për BIRN.
“Patriotizmi, tradicionalizmi, familja, morali dhe feja janë ende shumë të forta në Shqipëri,” theksoi ai.
Bakalli e themeloi “Brerore” në vitin 2018, pasi u kthye në Shtetet e Bashkuara dhe vendosi të sjellë modelin e politikëbërjes së lëvizjes MAGA në Shqipëri. Së fundmi, ai ka bërë aleancë me “Young & Conservative” – një organizatë rinore konservatore, anëtarët e së cilës janë të lidhur me Forumin Rinor të Partisë Demokratike dhe Këshillin Studentor në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
Bakalli thotë se qëndrimi politik i lëvizjes së tij është tërësisht në përputhje me lëvizjen MAGA dhe në linjë me dokumentin e Departamentit amerikan të Shtetit, të rikrijuar nga Marco Rubio.
“Deri dje, të flisje për atë që flet presidenti Trump në Amerikë ishte diçka që të fuste në burg, kurse Trump sot pas tre përpjekjeve për vrasje, u bë president,” tha Bakalli, ndërsa pretendoi se edhe vetë ishte përndjekur nga “aparati i sigurisë”.
“Pra, çështja është që tani kemi mundësi të shprehemi më shumë, sepse ka pasur censurë ndaj mendimit ndryshe,” shtoi ai.
Lidhje transnacionale
Grupimet informale shqiptare që përqafojnë ideologjitë e ekstremit të djathtë janë të përçara midis tyre, por nuk janë të izoluar nga kontaktet apo lidhjet me grupime të ngjashme që veprojnë në Europë.
Albanian Third Position, ATP, i ka promovuar vetë lidhjet me grupin ukrainas Avantguardia, ndërkohë që u përfaqësua në një takim të quajtur “Nation Europa” në gusht të vitit 2024 në Lviv të Ukrainës. “Nation Europa” komentohet si një rrjet pan-europian i organizatave neo-naziste në Evropë.
Gazetari Michael Coulborne ka identifikuar gjithashtu lidhje informale me individë nga Kroacia, Polonia apo Italia – këto të fundit aspak surprizuese sipas tij, përsa kohë që grupimet shqiptare janë veçanërisht të ndikuara nga fashizmi italian dhe tendencat e së djathtës ekstreme në Itali.
“Për më tepër, disa nga këto lidhje informale duket se lidhen me huliganizmin e futbollit dhe grupet apo individët ‘aleatë’ nga shtete të tjera, megjithëse duhet theksuar se këto lidhje nuk janë aq dhe thella dhe të forta sesa mund të ekzistojnë në vende të tjera, si përshembull Serbia,” tha Coulborne.
Coulborne është i mendimit që nëse grupe të tilla lejohen të lulëzojnë pa vëmendjen e medias dhe aktorëve të tjerë, atëherë ekziston rreziku që idetë e tyre të fitojnë më shumë rezonancë në shoqëri, veçanërisht tek të rinjtë meshkuj.
“Ndërsa aktivitetet e tyre mund të zhvillohen aktualisht brenda kufijve të ligjit, idetë e tyre janë në thelb të dhunshme dhe përqendrohen përfundimisht te dhuna,” tha Coulborne.
“Prandaj, mendoj se ekziston një detyrim për t’u kushtuar vëmendje këtyre grupeve dhe për të mos i injoruar ato, vetëm sepse duken “margjinale” ose të vogla,” përfundoi ai.
*Emri është ndryshuar për të ruajtur anonimatin.
