Sulmohet fizikisht gazetari Burim Pacolli, i dyshuar reperi “Mossi”
Gazetari Burim Pacolli dyshohet se është sulmuar fizikisht në Prishtinë nga reperi “Mossi” (Gramos Krasniqi) dhe disa persona të tjerë. Ngjarja, sipas raportimeve të mediave në Kosovë, lidhet me analizat dhe recensionet muzikore që Pacolli kishte bërë së fundmi.
Sipas Nacionales, motiv i dyshuar i sulmit janë komentet dhe analizat e gazetarit për pesë “freestyle-at më të fortë të Meriton Mjekiqit”, të cilat Pacolli i kishte trajtuar në kuadër të kritikës muzikore.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në Prishtinë, në momentin kur gazetari po kryente shërbime personale në një bankë. Në atë moment ai është përballur me disa persona, mes tyre edhe reperin Mossi, të cilët dyshohet se e kanë sulmuar fizikisht.
Për incidentin ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), i cili ka dënuar ashpër sulmin ndaj gazetarit dhe ka kërkuar që rasti të hetohet sa më shpejt.
AGK i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të zbardhë plotësisht ngjarjen dhe të identifikojë personat përgjegjës për këtë incident. Në reagimin e tyre, ata theksojnë se asnjë gazetar nuk duhet të sulmohet për shkak të kritikës apo raportimit, pasi këto janë të drejta të garantuara nga Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.
Rasti ka ngritur shqetësime në komunitetin e mediave në Kosovë, duke rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë së gazetarëve gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.
