Wed, Mar 4, 2026

Mes tensioneve familjare, David dhe Victoria urojnë Brooklyn për 27-vjetorin

Mes tensioneve familjare, David dhe Victoria urojnë Brooklyn për 27-vjetorin
  • PublishedMarch 4, 2026

David dhe Victoria Beckham kanë uruar publikisht djalin e tyre të madh, Brooklyn Peltz Beckham, për 27-vjetorin e lindjes, në një kohë kur marrëdhëniet brenda familjes vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes mediatike.

Më 4 mars, David Beckham publikoi në Instagram Stories disa fotografi të vjetra familjare. Në njërën prej tyre, ai dhe Victoria shfaqen duke buzëqeshur në një pishinë, ndërsa Brooklyn i vogël pozon mes tyre. “Të duam,” shkroi ish-futbollisti, duke shtuar më pas: “27 sot”. Në një tjetër foto bardhezi, ku Brooklyn shihet pak më i rritur pranë të atit, David e uroi sërish me fjalët: “Gëzuar ditëlindjen”.


Edhe Victoria Beckham ndau mesazhe të ngrohta për të birin, duke ripostuar një nga fotot e publikuara nga Davidi dhe duke shkruar: “Gëzuar ditëlindjen Brooklyn, të duam shumë”. Ajo publikoi gjithashtu një imazh të vjetër me Brooklyn kur ishte foshnjë, duke shprehur dashurinë e saj me disa zemra të kuqe.

Urimet vijnë pas muajsh tensionesh publike mes Brooklyn dhe prindërve të tij. Në janar, ai publikoi një seri postimesh ku akuzonte familjen për ndërhyrje në martesën e tij me Nicola Peltz dhe për përhapje të pavërtetash në media. Ndërkohë, burime pranë familjes kanë deklaruar se David dhe Victoria kanë tentuar të takohen me çiftin për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

Pavarësisht përçarjeve të raportuara, urimet e ditëlindjes tregojnë një gjest publik afeksioni në një moment delikat për familjen Beckham.