Frenon Man.City, Nottingham i ndal në “Etihad”, por Guardiola nuk dorëzohet: Ka ende shumë ndeshje (VIDEO)
Man.City bën “harakiri brenda në “Etihad”, ngec në një “X” të papritur 2-2 përballë Nottingham, duke i dhuruar një bonus të madh Arsenal në garën për titull. Ekipi i Pep Guardiola-s kaloi dy herë në avantazh, por dy herë u kap nga Nottingham duke lënë rrugës një dypikësh shumë të vyer që në fund mund të jetë shumë përcaktues.
“Qytetarët” gjetën golin e parë që në minutën e 31-të, me Cherki që futi një top të bukur në zonë për Semenyo me këtë të fundit që fluturimthi dërgoi topin në rrjetë. Nottingham u rikthye në lojë me fillimin e pjesës së dytë, me Gibbs-White që befasoi Donnarumma-n me një goditje shumë të bukur me thembër duke barazuar shifrat në 1-1. Për të rikthyer edhe një herë festën në “Etihad” mendoi Rodri, me mesfushorin spanjoll që me kokë realizoi golin e dytë për “qytetarët”. Spektakli nuk kishte fund, pasi në minutën e 76-të Anderson me një goditje perfekte barazoi shifrat në 2-2. Man.City tentoi deri në fund të shënonte golin e fitores, krijuan disa raste të pastra për gol, por fati nuk ishte me ekipin e Guardiola-s që tani e sheh veten -7 pikë në raport me Arsenal.
Pavarësisht këtij hapi fals, Pep Guardiola beson ende te titulli: “Ka ende shumë ndeshje për të luajtur, tani jemi një më pak, duhet të shohim përpara. Në përgjithësi ishte një ndeshje e mirë, sigurisht ka shumë për të përmirësuar, por kjo ishte një nga ato ndeshje ku ke ndjesinë se mund ta marrësh diçka më shumë”, u shpreh Guardiola, i cili ndër të tjera nuk preferoi të flas për disa nga episodet e dyshimta të këtij takimi, ku djemtë e tij reklamuan disa penallti.
