Llapi siguron gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës, vendosin penalltitë
Llapi është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, pasi e mposhti Malishevën, pas ekzekutimit të penalltive me rezultat 3:2, në një ndeshje tejet dramatike që përfundoi 2:2 pas 120 minutash lojë.
Malisheva kaloi në epërsi shumë herët, në minutën e 4-t, kur sulmuesi Mevlan Zeka realizoi për 1:0. Llapi reagoi në fillim të pjesës së dytë dhe arriti të barazojë në minutën e 49-të, kur Besar Musolli shënoi me kokë nga afërsia për 1:1.
Ndeshja mbeti e baraspeshuar deri në fund të kohës së rregullt, duke bërë që fituesi të kërkohej në vazhdime. Në kohën shtesë, Malisheva kaloi sërish në epërsi nëpërmjet Mevlan Zekës, i cili realizoi për 2:1.
Megjithatë, kur gjithçka dukej se po shkonte drejt përfundimit në favor të Malishevës, Llapi gjeti golin e barazimit në minutën e 120-të. Fuad Abazi realizoi me kokë për 2:2, duke e dërguar ndeshjen në penallti.
Në serinë e penalltive, më i saktë u tregua Llapi, që fitoi me rezultat 3:2. Te Malisheva penalltitë i humbën Donat Vitija dhe Arbër Pira.
Me këtë fitore, Llapi bëhet gjysmëfinalisti i fundit i Kupës së Kosovës. Dje kalimin në gjysmëfinale e kishin siguruar Ballkani, Ferizaj dhe Dukagjini. Ndeshjet gjysmëfinale do të zhvillohen sipas sistemit vajtje-ardhje.
