Sat, Mar 7, 2026

Alarm tek Aston Martin, Njuei: Dridhjet mund të dëmtojnë pilotët

Alarm tek Aston Martin, Njuei: Dridhjet mund të dëmtojnë pilotët
  • PublishedMarch 7, 2026

Në prag të startit të Botërorit 2026 në Formula 1, Adrian Njuei, drejtori teknik i skuadrës Aston Martin, ka lëshuar një alarm të fortë. “Do të duhet të kufizojmë ndjeshëm numrin e xhirove në garë derisa ta zgjidhim problemin nga rrënja”, thotë projektuesi gjenial i njëvendësheve të Formulës 1. Burimi i problemit, edhe pse nuk përmendet drejtpërdrejt në këto deklarata të drejtorit teknik të Adrian Njuei, duket se është motori i Hondës.

Fernando Alonso po përjeton sërish makthin e vitit 2015, kur garonte me MekLarenin. Edhe një herë, Honda, e cila deri pak muaj më parë kontribuoi në ëndrrën për rikthimin në titull botëror të Maks Vershtapenit, paraqitet në ndryshimin e rregulloreve me një motor që nuk është në nivelin e Formula 1.

PROBLEM SIGURIE

Gjithçka lidhet me dridhjet e forta që shkakton motori, të cilat transmetohen në shasi dhe më pas në timon, duke shkaktuar dhimbje të forta në gishtat e pilotëve. Një situatë e padurueshme për Alonson dhe Lans Strollin. Flitet për një prag sigurie: piloti spanjoll në garë mund të arrijë të përfundojë rreth 25 xhiro, ndërsa për shokun e tij të skuadrës, njëkohësisht djali i pronarit të ekipit, përmendet një kufi prej rreth 15 xhirosh.