E papritur! Charli XCX mendon të lërë muzikën: “Dua të bëhem aktore”
Charli XCX ka habitur fansat pasi ka lënë të kuptohet se e ardhmja e saj mund të mos jetë më në muzikë. Këngëtarja 33-vjeçare foli hapur për këtë mundësi gjatë një paraqitjeje në serinë në YouTube Feeding Starving Celebrities, të moderuar nga Quenlin Blackwell.
Gjatë bisedës, Blackwell e pyeti nëse dëshironte të merrej më shumë me aktrim. Përgjigjja e Charli-t ishte e menjëhershme dhe entuziaste: “Po, po tallesh? Dua ta lë muzikën, zemër, dhe të bëhem aktore”.
Komentet e saj vijnë pas një periudhe shumë të suksesshme në karrierën muzikore. Albumi i saj i vitit 2024, Brat, fitoi edhe çmimin Grammy për albumin më të mirë në kategorinë Dance/Electronic, duke konfirmuar edhe një herë ndikimin e saj në skenën pop dhe elektronike.
Gjatë bisedës, dy mikeshat diskutuan edhe për projekte të mundshme në të ardhmen. Charli tregoi se do të donte të realizonte një film horror në stilin e Final Destination, por me një kast “it-girl”. Në një video në TikTok të publikuar në maj 2025, ajo përmendi emra si Rachel Sennott, Alex Consani, Gabbriette Bechtel, Romy Mars dhe vetë Blackwell si pjesë e kastit.
Ndërkohë, Charli ka nisur tashmë të ndërtojë një karrierë edhe në kinema. Ajo luan veten në dockumentarin The Moment, i cili u shfaq premierë në Festivalin e Filmit Sundance. Filmi përfshin gjithashtu aktorë si Rosanna Arquette, Jamie Demetriou dhe Alexander Skarsgård, si dhe një paraqitje të shkurtër nga Kylie Jenner.
Përveç këtij projekti, Charli pritet të shfaqet edhe në filmin e ardhshëm I Want Your Sex përkrah Olivia Wilde dhe Cooper Hoffman, si dhe në filmin horror Faces of Death.
Megjithëse mbetet një nga artistet më të suksesshme të pop-it modern, duket se Charli XCX po mendon seriozisht për një kapitull të ri në karrierën e saj, atë të aktrimit.
