Belinda Balluku: Aleatja besnike e kryeministrit Rama në qendër të stuhisë politike
Ishte një ngjarje mediatike që synonte të promovonte imazhin e një qeverie që punon për të mirën publike: Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga zëvendësja e tij e besuar Belinda Balluku dhe zyrtarë të tjerë, duke ecur me vetëbesim përmes Tunelit të sapopërfunduar të Llogarasë, 5.9 kilometra të gjatë, në jug të Shqipërisë.
Si Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë nga viti 2019 e në vazhdim, Balluku mbikëqyri një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore, nga rrugët tek objektet energjetike, dhe shihej si një aleate jetike për Ramën.
Tuneli i Llogarasë, i cili lidh Vlorën me fshatrat turistikë të të ashtuquajturës Riviera Shqiptare në jug, ishte një nga projektet infrastrukturore më të mëdha dhe më të kushtueshme në Shqipëri gjatë pesë viteve të fundit.
Por përfshirja e Ballukut në projekt tani ka shkaktuar një nga polemikat më të mëdha që ka goditur administratën e Ramës që nga fitorja e thellë në zgjedhjet e majit të vitit të kaluar. Në tetor 2025, prokurorët e SPAK-ut e akuzuan atë për ndërhyrje në procedurat e prokurimit publik në projektet e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Tiranës.
Akuzat dolën në dritë kur SPAK po hetonte pretendime për korrupsion dhe pastrim parash ndaj kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, i cili u arrestua në vitin 2024. Në telefonin e Berberit u zbuluan biseda që dyshohet se e komprometonin me Ballukun lidhur me prokurimet për projektin e Tunelit të Llogarasë.
Balluku i ka mohuar akuzat. Në parlament, ajo i përshkroi pretendimet ndaj saj si “insinuata dhe gënjeshtra”.
SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit të saj parlamentar në mënyrë që ajo të mund të arrestohet. Por ajo vazhdon të ketë mbështetjen e Ramës. Kryeministri socialist tha në shkurt: “Balluku ma ka dorëzuar dorëheqjen tre herë. Nuk e kam pranuar.”
Të hënën, deputetët e Partisë Socialiste vendosën t’i rekomandojnë parlamentit që të votojë kundër kërkesës së prokurorisë për heqjen e imunitetit të saj. Deputeti socialist Ulsi Manja argumentoi se Balluku nuk duhet të ndalohet apo të vendoset në arrest shtëpie pasi ajo nuk paraqet rrezik për t’u arratisur, ndërsa “rreziku i shkatërrimit të provave nuk u vërtetua me fakte reale” nga prokuroria.
Rama pretendoi se prokuroria tashmë “e ka dënuar atë pa gjyq, pa i dhënë të drejtën të mbrohet në gjykatë… ata duan ta shohin Belinda Ballukun në burg, pa pritur madje as të hapet dera e sallës së gjyqit”.
Votimi në parlament pritet të zhvillohet më 12 mars. Meqenëse socialistët në pushtet mbajnë 83 nga 140 vendet në parlament, propozimi për heqjen e imunitetit të saj pothuajse me siguri do të rrëzohet.
Togerja e besuar merr mbështetjen e shefit


Ergys Mërtiri, analist politik në Tiranë, tha se akuzat ndaj Ballukut janë shumë të rëndësishme sepse “ajo nuk ka qenë thjesht numri dy në qeverinë e Edi Ramës, por një person me peshë të padiskutueshme politike, që ka dominuar shumicën qeverisëse”.
Mërtiri e konsideron kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit parlamentar të saj si një “goditje serioze për qeverinë… jo vetëm për imazhin e saj, por edhe për efektin politik që krijon, boshllëkun e madh, pasigurinë dhe paqëndrueshmërinë brenda Partisë Socialiste”, tha ai për BIRN.
Balluku ka qenë prej kohësh një besnike e Partisë Socialiste. Ajo e nisi karrierën politike si këshilltare për marrëdhëniet me publikun në zyrën e Ramës në 2004, kur ai ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, dhe më pas u bë drejtore kabineti e tij.
Nga viti 2013, kur Rama drejtonte tashmë qeverinë, ajo drejtoi një nga kompanitë shtetërore më të rëndësishme, Albcontrol – autoriteti më i lartë në fushën e aviacionit civil.
Në 2019, Rama e emëroi Ministre të Energjisë dhe Infrastrukturës – një nga institucionet më të rëndësishme qeveritare për shkak të buxhetit të madh që menaxhon.
Më 2022, pasi Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj u akuzua nga SPAK-u për korrupsion dhe pastrim parash dhe u largua në Zvicër, ajo e zëvendësoi – një tregues i pozicionit të saj në administratën e Ramës.
Rama e ka shpërblyer besnikërinë e saj duke e mbështetur fuqishëm që kur SPAK-u njoftoi fillimisht akuzat kundër saj në tetor 2025.
Në nëntor, SPAK-u kërkoi pezullimin e saj nga detyra, gjë të cilën Rama e sfidoi menjëherë para Gjykatës Kushtetuese. Në dhjetor, SPAK-u deklaroi se akuzat ndaj saj ishin bërë më serioze, duke e akuzuar për ndërhyrje në shtatë prokurime publike të lidhura me ndërtimin e rrugëve, dhe kërkoi heqjen e imunitetit të saj për t’i hapur rrugë arrestimit të saj.
Në të kaluarën, kur prokurorët kanë kërkuar heqjen e imunitetit të një deputeti për të vazhduar hetimet, kjo ka qenë një procedurë e thjeshtë. Ky nuk ishte rasti me Ballukun.
Rama pretendoi se kërkesa e prokurorisë ishte një përpjekje për “të ndërhyrë në punën e qeverisë” dhe kërkoi ta bllokonte atë. Megjithatë, ndërsa polemika vazhdoi, Balluku u shkarkua nga detyra e ministres dhe e zëvendëskryeministres. Në një takim në Ministrinë e Infrastrukturës, para se të largohej nga detyra, Balluku shprehu mirënjohjen e saj ndaj Ramës.
“Do të doja të shfrytëzoja këtë mundësi për të falënderuar Kryeministrin Rama për gjithë besimin dhe mundësinë që më ka dhënë gjatë viteve, por mbi të gjitha për shembullin që ka dhënë me stilin e tij të udhëheqjes”, deklaroi ajo.
Gazment Bardhi, deputet i Partisë Demokratike, beson se veprimet e Ramës në mbrojtje të zëvendëses së tij të përfshirë në probleme tregojnë se çfarë figure kyçe është bërë ajo në administratën e tij.
“Fakti që Edi Rama ka vendosur ta mbrojë atë politikisht tregon fuqinë dhe autoritetin e saj, madje edhe mbi Kryeministrin”, tha Bardhi për BIRN.
Rama shton kritikat ndaj gjyqësorit


Analistët politikë besojnë se rasti i Ballukut ka shkaktuar një ndryshim të madh në qëndrimin e Ramës ndaj sistemit të drejtësisë. Kritikat e tij të mëparshme ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve për çështje të tjera kundër figurave të Partisë Socialiste, siç është kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ishin më pak të zëshme.
Çështja Balluku e ka “detyruar Ramën të kundërshtojë hapur institucionet e drejtësisë duke refuzuar të heqë imunitetin e saj dhe duke ndërmarrë ndryshime ligjore kundër punës së SPAK-ut”, tha për BIRN Ermal Hasimja, një analist politik dhe profesor i shkencave politike në Universitetin e Tiranës.
Në shkurt, pasi e riktheu Ballukun në detyrë përkohësisht, Gjykata Kushtetuese vendosi ta shkarkojë atë përfundimisht, duke e shtyrë Ramën të propozojë legjislacion të ri për t’u dhënë imunitet zyrtarëve të lartë.
Nëse miratohen, ndryshimet ligjore do ta ndalojnë gjykatën e lartë të pezullojë Presidentin dhe Kryeministrin ose zëvendëskryeministrat dhe ministrat, avokatin e popullit, kreun e Zyrës së Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Aktualisht, këtë lloj imuniteti e gëzojnnë vetëm zyrtarë të zgjedhur.
“Retorika e Ramës kundër SPAK-ut dhe gjyqësorit është rritur dhe është shoqëruar me veprime konkrete: duke e çuar kërkesën e SPAK-ut në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas me iniciativa ligjore për të bllokuar SPAK-un nga pezullimi i zyrtarëve të lartë në detyrë”, tha analisti politik Lutfi Dervishi për BIRN.
Reforma në drejtësi dhe roli i SPAK-ut në goditjen e korrupsionit të nivelit të lartë kanë qenë thelbësore për progresin e Shqipërisë, që aspiron në anëtarësimin në Bashkimin Evropian, një proces që Rama ka sugjeruar se mund të realizohet deri në vitin 2030.
Megjithatë, BE-ja duket se ka marrë një qëndrim të ashpër ndaj zhvillimeve rreth rastit të Ballukut. Muajin e kaluar, ajo i bëri thirrje parlamentit të Shqipërisë të votojë shpejt për kërkesën për heqjen e imunitetit të Ballukut.
“Është përgjegjësi e Parlamentit të Shqipërisë të adresojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Luftimi efektiv i korrupsionit është me rëndësi të madhe për progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, që është pritshmëri e qytetarëve të saj”, tha Delegacioni i BE-së në Tiranë. Afati i fundit për një votim parlamentar mbi imunitetin e saj po afron – tre muaj pas kërkesës së prokurorisë më 16 dhjetor.
Prokuroria e Posaçme thuhet se gjatë një takimi të kohëve të fundit në parlament pretendoi se pozicioni i saj ishte përkeqësuar sepse njerëz të afërt me të janë përpjekur të frikësojnë dëshmitarët; tani, ajo rrezikon 35 vjet burg, nga 10 vjet, kur u akuzua.
Megjithatë, kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht. Deputeti socialist Ulsi Manja këmbënguli të hënën se prokurorët nuk kanë kryer hetime të mjaftueshme për të vërtetuar këtë pretendim.
Edhe pse imuniteti i Ballukut nuk ka gjasa të hiqet, deputeti i opozitës Bardhi argumentoi se votimi i së enjtes duhet të tregojë se askush nuk është mbi ligjin, madje as një aleat i ngushtë i Kryeministrit.
“Kuvendi ka detyrimin të japë mesazhin se nuk mund të bëhet mburojë për të korruptuarit, përndryshe do të shkelte pritshmëritë e shqiptarëve në lidhje me luftën kundër pandëshkueshmërisë”, tha ai.
